KDI: Prokurimi në MPB i pa mbikëqyrur
Prishtinë, 4 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës(KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka publikuar sot raportin e monitorimit të Prokurimit Publik për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Merita Mustafa, Menaxhere e Projektit Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik, tha se gjetjet që dalin nga raporti janë shqetësuese dhe dëshmojnë që taksat e qytetarëve vazhdojnë të shpenzohen në mënyrë të padrejtë , duke favorizuar interesa të ngushta dhe duke i lënë anash ato të publikut.
Sipas Mustafës, disa prej çështjeve më problematike të cilat janë evidentuar në këtë raport të monitorimit janë edhe mungesa e planifikimit të duhur të nevojave të domosdoshme, mungesa e transparencës së MPB-së karshi bizneseve dhe pakujdesia e MPB-së në zbulimin e monopoleve, ku disa biznese tentojnë të mashtrojnë duke aplikuar me disa kompani nga i njëjti pronar.
Burokracia e tepruar, përgatitja e kritereve jo të qarta të cilat zvarrisin proceset e tenderimit, përcaktimi i kritereve të ashpra të cilat lënë jashtë garës kompanitë vendore, pranim të dokumenteve të cilat nuk i përmbushin kriteret e kërkuara, sjellje dhe qasje jo profesionale nga ana e autoritetit kontraktues në raport me bizneset dhe mos verifikimin e shpjegimeve të bizneseve nga ana e komisioneve vlerësues mbesin ndër shqetësimet kryesore në këtë sektor deklaroi Mustafa.
Në këtë konferencë gjithashtu u theksua edhe papërgjegjësia e Qeverisë në raport me vonesat në propozimin e anëtarëve të OSHP-së, veprim ky që ka pezulluar qindra projekte. Mustafa tha se me këtë qasje, Qeveria e Kosovës në vend se ti ndihmoj bizneset dhe zhvillimin e ekonomisë, ajo është duke punuar në dëm të tyre, ngaqë miliona euro të sektorit të biznesit tanimë gjenden të bllokuara në OSHP.
Mustafa shtoi se përkundër faktit që 50% e buxhetit të shtetit shfrytëzohet përmes prokurimit publik, ky sektor vazhdon të mbetet subjekt i elementeve korruptive, pa ndonjë mbikëqyrje dhe pa ndonjë kontroll të duhur.
Rekomandime
1. Institucionet shtetërore dhe në veçanti MPB duhet ti kushtojnë më shumë vëmendje kompanive të cilat synojnë kurdisjen e tenderëve, nëpërmjet aplikimit të kompanive të ndryshme me pronarë të njëjtë e të cilët mund të dëmtojnë buxhetin e Kosovës;
2. Planifikimi i nevojave të Ministrisë duhet të bëhet në mënyrë sa më të drejtë duke i dhënë prioritet produkteve apo shërbimeve të cilat duhet janë shumë të nevojshme;
3. MPB duhet të ofroj më shumë më shumë qasje në dokumente zyrtare për bizneset të cilat kërkojnë një gjë të tillë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohen proceset e drejta të prokurimit publik;
4. Sekrete afariste të mos klasifikohen dokumentet të cilat janë kritere vendimtare në përcaktimin e ofertave fituese, pasi që në këtë mënyrë do të eliminoheshin shumë dyshime të bizneseve të cilat nuk kanë arritur të fitojnë në tender;
5. Kriteret e përcaktuara në dosje të tenderit, duhet të jenë precize dhe më të buta që ti përshtaten tregut Kosovar, në mënyrë që tu lejojnë më shumë kompanive vendore që të futen në garë;
6. Anulimi i tenderëve për çështje të vogla siç është kërkimi i dokumenteve shtesë , duhet të evitohet, duke lejuar një fleksibilitet më të madh kompanive. Një veprim i tillë do të mundësoj që të rritet konkurrenca dhe të kontraktohen produkte apo shërbime me çmime më të ulëta;
7. Në kontratat e ndërtimit projektet duhet të hartohen në atë mënyrë që të mos kenë mangësi të cilat rezultojnë me nevojë për dhënie ndarje të kontratës për punë shtesë, për punë të cilat janë elementare.