18 Nëntor 2024

KDI: Prokurimi kaotik në Policinë e Kosovës

Prishtinë, 21 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), ka publikuar sot një raport studimor për prokurimin publik në Policinë e Kosovës, përkatësisht tenderin për blerjen e automjeteve për Policinë.

Isuf Zejna, hulumtues në KDI, ka thënë se tenderi i Policisë së Kosovës, që nga viti 2011 përcillet me probleme dhe ankesa, për shkak të kritereve diskriminuese që aplikon Policia e Kosovës për këtë tender.

KDI konsideron se ky tender i cili ka njëvlerë rreth 4 milionë euro, bazuar në buxhetin e paraparëpër tri vitet e ardhshme, po përgatitet që me çdo kusht t’i ndahet përfaqësuesit të Volkswagen (VW) për Kosovë.

Tenderi në fjalë është përsëritur tri herë që nga viti 2011 dhe që nga atëherë në OSHP janë parashtruar pesë ankesa.

Për më tepër, nuk ka pasur asnjëherë kompani fituese të cilës i është nënshkruar kontrata dhe kështu Policia ka mbetur pa u furnizuar qysh atëherë me vetura patrulluese.

KDI, gjatë analizimit të dokumenteve dhe konsultimit me palët e interesit, ka vërejtur se në këtë tender Policia e Kosovës ka favorizuar një operator, duke përcaktuar në vazhdimësi kushte të cilat e parapërcaktonin fituesin e tenderit.

Kështu që nga viti 2011 Policia në vazhdimësi është përballur me ankesa në OSHP, e  ku kjo e fundit në dy raste  ka kërkuar anulimin e tenderit.

Më tutje Zejna ka shtuar se tenderi i parë në vitin 2011, qysh në fazën fillestare, është anuluar pasi që një operator u ankua se kriteret janë përshtatur një kompanie të vetme dhe kjo ishte në kundërshtim me parimet e Ligjit për Prokurimin Publik, i cili garanton konkurrencën e lirë dhe mos diskriminimin e operatorëve.

Në tenderin e dytë i cili u shpall në vitin 2012, Policia e Kosovës ka ndryshuar kriteret, mirëpo vetëm sa për t’i përshtatur ato një lloji të veturës tjetër, këtë rast Golf VI me çka favorizonte përfaqësuesit e VW. Asnjë nga kompanitë tjera të cilat kishin aplikuar në këtë tender, nuk u kualifikuan si të përgjegjshme.

Bizneset janë ankuar prapë dhe kanë arritur që edhe një herë ta ndalin këtë tender dhe ta detyrojnë Policinë e Kosovës që ta bëjë ri-tenderimin e veturave patrulluese.

Tenderi i tretë, nuk ka ndryshuar shumë nga dy të parët, Policia e Kosovës ka vazhduar me të njëjtin avaz. Ndryshimi i vetëm në këtë tender ka qenë se bizneset e pakënaqura nga dy tenderët paraprak, nuk kanë aplikuar më tutje.

Konkurrenca nga nëntë (9) kompani sa kishin aplikuar në fillim, ka rënë në vetëm tre (3) operatorë. KDI madje ka gjetur indikacione se përfaqësuesit e VW paraqesin ofertë fiktive vetëm sa për të përmbushur kushtin ligjor për dy (2) oferta të përgjegjshme, kjo pasi që të dy kompanitë ishin vetëm me dokumente si të ndara përderisa në fakt operojnë si i njëjta kompani.

Edhe çmimi i ofertuar për veturat e Policisë mbetet shumë i dyshimtë. Škoda Rapid i është ofruar Policisë së Kosovës me 18.317,05 euro, përderisa kompania në tregun me pakicëŠkoda Rapid e ofron duke filluar nga 10.950,00 euro.

Tenderi i tretë gjithashtu ka të ngjarë të përsëritet, kjo për shkak se përsëri bizneset kanë parashtruar ankesë për dosjen e tenderit dhe vlerësimin e ofertave.

Kontrata në këtë tender është kornizë dhe shuma totale e tenderit është e pa përcaktuar, mirëpo duke marr parasysh se një kontratë e tillë do të jetë e vlefshme tri vite, buxhetit të shtetit kjo mund t’i kushtoj rreth 6 milionë euro.

KDI edhe një herë i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që të përshpejtojnë punën në mënyrë që të funksionalizohet Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), mungesa e të cilit ka sjell kaos në prokurim publik.

KDI e konsideron situatën në prokurimin publik në përgjithësi problematike për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve dhe veçanërisht Qeverisë, e cila nuk po gjen kandidat të përshtatshëm për ta drejtuar OSHP-në.

Edhe ky tender për veturat e Policisë ka mbetur në pritje të lojërave të institucioneve për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)