KDI: Milionat e paligjshme, shkatërrojnë të ardhmen
Prishtinë, 12 tetor - Instituti Demokratik i Kosovës ka organizuar të mërkurën në Universitetin AAB-Riinvest një tryezë me studentë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të ndryshme me temën: Krimi i organizuar dhe pasuria e paligjshme, pengesë për zhvillimin e Kosovës.
Në këtë tryezë po ashtu është publikuar edhe një Studim i përgatitur nga KDI me titull Milionat e paligjshme.
Ky studim flet mbi impaktin e Ligjit Kundër Krimit të Organizuar dhe Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në mënyrë të paligjshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Të pranishmit kanë vlerësuar se me gjithë ligjet aktuale, luftimi i krimit të organizuar dhe pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, kërkon plotësim të legjislacionit në këtë fushë. Problem i veçantë në këtë drejtim është theksuar edhe mungesa e zbatueshmërisë së ligjeve ekzistuese.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani ka vlerësuar se ka shumë pak, ose fare vendime për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, kjo për arsye siç tha ai, mungesës së vërtetësisë së prejardhjes së pasurisë.
Ai ka folur edhe për nevojat e plotësimeve ligjore. Nëse duhet të sfidohemi me krimin e organizuar, duhet të avancojmë me infrastrukturën ligjore, ka thënë Hasani në tryezë, ndërkohë ka shtuar se megjithatë ekziston baza ligjore, por mungojnë dispozitat tjera qe e kompletojnë ate.
Edhe deputeti, njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Behar Selimi ka potencuar nevojën e plotësimit të infrastrukturës ligjore në mënyrë që të ketë luftim më efikas të kësaj dukurie.
Legjislacionin e kemi dhe ky legjislacion na ka ndihmuar për ta luftuar krimin e organizuar aq sa e kemi luftuar deri më tani. Përmes këtij legjislacioni mund ta luftojmë krimin e organizuar, por a mund të luftohet më mirë, është hipoteza tjetër. Duhet të plotësohet ky legjislacion në mënyrë që të luftohet më mirë krimi i organizuar, ka thënë Selimi.
Sipas Selimi, mungon një studim krahasues me vendet e rajonit mbi nivelin e krimit të organizuar dhe siç tha ai, pasurimi brenda natës është vjedhje e së ardhmes.
Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së Ndihmësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë, për Hetime, Gazmend Hoxha ka folur për aktivitetet e policisë dhe sfidat e tyre në luftimin e krimit të organizuar.
Lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të bëhet pa e luftuar dhe goditur pasurinë e paligjshme, ka thënë Hoxha, ndërkohë të rëndësishme e ka parë edhe plotësimin e bazës ligjore.
Ndërkaq, rektori i AAB-së, profesor i kriminalistikës, Lulzim Tafa ka thënë se në kuadër të rregullimit dhe plotësimit ligjor kundër krimit të organizuar, duhet të kihet parasysh edhe aspekti i të drejtave të njeriut. Ai ka falënderuar KDI për kontributin që po jep në këtë drejtim, ndërkohë ka shprehur gatishmërinë për të kontribuuar në këtë fushë.
Profesori i kriminalistikës, Fatmir Qollaku ka folur për format e krimit të organizuar dhe elementin e sigurisë që sipas tij ka rëndësi të veçantë. Ai e ka ndërlidhur çështjen e krimit të organizuar me aspektin e sigurisë.
Në tryezë është debatuar edhe për aktivitetet konkrete të institucioneve si atyre ligjvënëse, po ashtu edhe të atyre që zbatojnë ligjet.
Ndërkohë, gjatë prezantimit të studimit të KDI-së të titulluar Milionat e paligjshme është thënë se në këtë punim KDI, një pjesë e konsiderueshme e saj, është përqendruar tek baza ligjore aktuale në vend, pastaj niveli i krimit të organizuar, masat e ndërmarra për luftimin e kësaj dukurie, konfiskimi i pasurisë së paligjshme, etj.
Kjo tryezë është zhvilluar në kuadër të projektit Avokimi për kompletimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion në Kosovë të mbështetur nga Ambasada Britanike. Ligjet të cilat do të jenë objektiv i avokimit tonë janë: Ligji kundër krimit të organizuar dhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.