KDI: MBPZHR - MSH e MI keqpërdorin fondet publike

Parregullsitë dhe problemet e hasura gjatë hulumtimit në fushën e prokurimit publik janë të ndryshme dhe në këtë mënyrë pasqyrojnë sfidat që e karakterizojnë prokurimin publik në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Ministrinë e Infrastrukturës (MI), dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) gjatë periudhës kohore prill - shtator 2012.
Sipas Merita Mustafës, mungesa e përgjegjësisë, Ministria e Shëndetësisë, e Infrastrukturës dhe ajo e Bujqësisë nuk i kanë vënë në fuksion mekanizmat e mirëfilltë të kontrollit të cilët do të kishin siguruar që taksat e qytetarëve të përdoreshin në mënyrë të drejtë dhe racionale.
Vërejtje të shumta u dhanë edhe në realizimin e projektev, që sipas Mustafës ato realizohen por devijojnë nga kriteret e përcaktuara me kontratë.
Hulumtimi në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) sipas Mustafes gjen se tenderët kalojnë disa herë nëpër procesin e ri-tenderimit për shkak të kërkesave të larta që parashtron autoriteti kontraktues.
"Në këtë mënyrë, kontratat nuk fillojnë në kohën e paraparë, punët shtyhen dhe nuk ekzekutohen me kohë", ka theksuar ajo.
Mospublikimi i kontratave me vlerë të vogël në ueb-faqen e KRPP-së vazhdon tua vështirësojë pjesëmarrjen në proceset tenderuese bizneseve të mesme dhe të vogla.
Të gjeturat hulumtuese gjejnë parregullsi të mëdha në zbatim të kontratave, gjegjësisht në vonesa të vazhdueshme në ekzekutim të punëve nga operatorët ekonomikë të cilët përkundër kësaj vazhdojnë të kontraktohen me tenderë të tjerë.
Kjo e gjetur vë në pikëpyetje përkufizimet ligjore për operatorë të përgjegjshëm si dhe funksionin e Listës së Zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
Nga tenderët e analizuar në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), sipas Mustafes parregullsitë vërehen tek mos publikimi i njoftimeve për kontrata, ndryshimet e numrave të prokurimit, mungesë e të dhënave në raporte të vlerësimit, dhe dallime të mëdha (mbi 50%) të çmimeve të ofruara për tender nga ofertuesit.
Bazuar në intervistat e bëra me zyrtarët e MI-së del që kjo ministri nuk ka dhënë gjoba për ndonjë operatorë ekonomik, mirëpo KDI nuk ka mundur të sigurojë një shkresë zyrtare që dëshmon një gjë të tillë.
Nderkaq gjithnjë sipas Mustafes prokurimi publik në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), është përshkuar me të gjetura që cenojnë informimin dhe
ngritin dyshime për parregullsi.
"Megjithëse dispozitat ligjore parashohin praktikat më të mira ndërkombëtare, ndër elementet më të theksuara si rezultat i hulumtimit të proceseve tenderuese në këtë ministri është mosrespektimi i afateve kohore për ankesa", ka thënë Mustafa.
Gjatë analizimit të tenderëve të përzgjedhur në MBPZHR është evidentuar edhe mungesa e pjesëve të rëndësishme të kontratës, sikurse: mungesa e precizimit të fillimit dhe përfundimit të kontratës, si dhe mungesa e precizimit të sasisë së shërbimit të ofruar.
Transparenca që kjo ministri shfaq ndaj palëve të interesuara sipas KDI kërkon përmirësim të mëtutjeshëm.
Operatorët ekonomikë dhe akterë të tjerë të përfshirë në fushën e prokurimit publik kritikojnë këtë ministri në aspektin e informimit të pamjaftueshëm për proceset tenderuese.