KDI lanson projekt për ndriçimin e financave të partive politike
Prishtinë, 5 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) lanson projektin më të ri indeksi CRINIS, qëllimi kryesor i të cilit është të ndriçoj financat e partive politike.
Ky projekt ka për baze dy komponenta, të cilat bëjnë: 1. Vlerësimin e bazës ligjore dhe praktikave që kanë të bëjnë me transparencën në financimin e subjekteve politike, dhe 2. Në bazë të rezultateve që dalin, ndërmerren aktivitete avokimi për të bërë reforma për të përmirësuar bazën ligjore dhe praktikat në financimin e subjekteve politike.
CRINIS fokusohet në dy lloje të financimit politik: 1. financimin e rregullt ose vjetor të subjekteve politike (fond jo elektoral), dhe 2. Financimin e fushatave zgjedhore.
KDI këtë projekt e realizon në bashkëpunim me disa organizata të nivelit botëror dhe rajonal, ku partner kryesor ka organizatënTransparency International (TI) me seli në Berlin, ndërsa partner të tjerë nga rajoni janë degët e kësaj organizate siç është: T-Shqipëri, T-Maqedoni, T-Kroaci dhe T-Serbi.
Merita Mustafa, menaxhere e këtij projekti ka thënë se edhe pse deri më tani në Kosovë ka ekzistuar një legjislacion solid për ti obliguar partitë politike që ti raportojnë financat e tyre dhe shpenzimet gjatë fushatave elektorale, megjithatë kjo çështje vazhdon të jetë pjesa me shumë të pa njohura për burimin e financave të partive politike në vend , e me theks të veçantë për partitë e mëdha.
Dëshmitë për këtë janë se partitë politike gjithmonë kanë qenë subjekt i shqiptimit të gjobave nga ana e organeve kompetente, gjoba të cilat i kanë paguar vetëm në momentet e fundit, ka thënë Mustafa.
Sipas saj, partitë politike në Raportin e organizatës Transparency International Global Barometer Report, janë identifikuar si një ndër institucionet më të korruptuara në vend. Në vitin 2007 ato zënë vendin e parë si një nder institucionet më të korruptuara, ndërsa në vitin 2009 zënë vendin e dytë me notën 3.8 (shkalla 5 nënkupton korrupsionin ekstrem).
KDI i bënë thirrje të gjitha subjekteve politike që të jenë transparente në financimin e tyre, dhe ti përmbahen ligjit për financimin e subjekteve politike, i cili që nga dita e sotme do hynë në fuqi. Tani e tutje partitë politike do të jenë nën vëzhgimin e KDI-së për sa i përket transparencës së financimit të tyre, ka shtuar ajo.
Ndërkohë, ajo që duhet të theksohet Mustafa ka thënë se është dhe mungesa e gatishmërisë së KQZ-së për të dhënë informacion në çështjen e financimit të partive politike.