KDI kërkon të ruhet stabiliteti social dhe ekonomik në Kosovë
Shpërndarja e virusit COVID-19 është duke i ndikuar ekonomitë e të gjitha shteteve të prekura, dhe Kosova nuk bën përjashtim nga kjo situatë. Shumë shtete në mbarë botën, për të ruajtur qëndrueshmërinë ekonomike kanë filluar të shfrytëzojnë stimuj dhe paketa lehtësuese për të zbutur ndikimin negativ të pandemisë në ekonomi.
Në Kosovë, kufizimi i qarkullimit të qytetarëve dhe mbyllja e shumë bizneseve ka ndikuar në rënien e konsumit të përgjithshëm duke rrezikuar ekzistencën e shumë bizneseve private, të cilët janë punëdhënësit kryesorë në Kosovë. Vlerësohet se mbi 260 mijë qytetarë të punësuar në sektorin privat rrezikohen të mbesin pa të ardhura derisa të vazhdojë kjo situatë.
KDI mirëpret masat e qeverisë për të përkrahur qytetarët në programet sociale dhe shtyerjen e afateve për kthimin e kredive dhe pagesën e tatimeve. Sidoqoftë, këto masa duhet zgjeruar në mënyrë që të përkrahen edhe të punësuarit në sektorin privat, duke ditur që atyre dhe familjeve të tyre u mungojnë kursimet.
Qeveria duhet të sigurojë të ardhura të qëndrueshme duke implementuar politika që rimbursojnë bizneset – punëdhënësit për shpenzimet e pagave të punëtorëve për muajin aktual apo për sa muaj pritet të vazhdoj kjo gjendje.
Përmes kësaj mase do të sigurohej një stabilitet i të ardhurave për qytetarët dhe do të shmangej rreziku për mbylljen e shumë bizneseve, rrjedhimisht largimin e punëtorëve nga puna. Për t’u implementuar kjo masë dhe për t’I evituar mundësitë e keqpërdorimeve, Qeveria do të duhej të bazohej në deklarimet e të punësuarve për muajin paraprak në ATK.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020 parasheh investime të konsiderueshme në infrastrukturë rrugore e projekte të tjera kapitale, të cilat bazuar në situatën e re të krijuar nuk mund të konsiderohen si prioritete andaj këto mjete do të duhej të ridestinoheshin për të trajtuar situate emergjente, që mund të prodhojnë kriza socioekonomike, me pasoja të pa rikuperueshme .
KDI, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit social si një parakusht për funksionim e një demokracie të shëndetshme, kërkon nga Qeveria e Kosovës, të vlerësoj edhe ndikimin direkt përmes masave ekonomike për lehtësimin e ndikimit negative në jetën sociale si rrjedhojë e përhapjes së pandemisë COVID-19.