KDI kërkon nga Presidentja mos ta emëroj Hamzen për Guvernator
Prishtinë, 19 mars - Pas zgjedhjes ish Ministrit të Financave Bedri Hamza në krye të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nga ana e Kuvendit ka pasur vazhdimisht thirrje drejtuar presidentes së vendit që të mos e nënshkruajë emërimin e tij.
Një kërkesë të till sot e ka bërë edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) duke i dërguar letër Presidentes Jahajga në lidhje me zgjedhjen e Bedri Hamzes për Guvernator te BQK-së.
Pas zgjedhjes së Hamzës me votat e deputetëve të pushtetit dhe bojkotin e opozitës, vlerësohet se tashmë ka mbetur vetëm presidentja që të pengojë atë që po quhet si zaptim i BQK-së nga një njeri i PDK-së.
KDI e ka ftuar presidenten Jahjega që të ketë konsideratë për shqetësimet lidhur me pretendimet për shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi i Kosovës, kur ka zgjedhur Hamzën.
KDI shprehë shqetësim të thellë ndaj vendimit për vendosjen e anëtarëve me libreza partiake në krye të institucioneve të pavarura dhe shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës. Zgjedhja e Hamzës për guvernator është në kundërshtim të plotë me nenin 140 të Kushtetutës, thuhet në letrën e KDI-së.
\"Duke e pasur parasysh një fakt të tillë, ju lusim që të merrni në konsideratë shqetësimin tonë lidhur me shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi i Kosovës, kur ka zgjedhur z. Bedri Hamza për Guvernator të BQK-së, dhe si të tillë të shfrytëzoni të drejtën tuaj sipas Nenit 84, paragrafi 27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që mos ta emëroni z. Bedri Hamza për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.\"
Zgjedhja e Bedri Hamza për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës sipas KDI-së është në kundërshtim të plotë me nenin 140 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili shprehimisht thotë se: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është institucion i pavarur i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës.
Po ashtu edhe neni 6 i Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, ka përcaktuar pavarësinë dhe autonominë e këtij institucioni: Banka Qendrore, anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i Bankës Qendrore, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare. Pavarësia dhe autonomia e Bankës Qendrore respektohet në çdo kohë dhe asnjë person apo subjekt nuk do të provojë të ndikoj anëtarët e organeve vendimmarrëse apo të personelit të Bankës Qendrore në realizimin e detyrave të tyre apo të ndërhyjë në aktivitetet e Bankës Qendrore.
Duke ditur që z. Hamza për një kohë të gjatë është anëtarë dhe faktorë i rëndësishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, e dëshmuar edhe në Konventën e fundit të PDK-së, ku gjatë gjithë procesit z. Hamza ka qëndruar përkrah udhëheqësve kryesorë të partisë, zgjedhja e tij për Guvernator të Bankës Qendrore cenon kushtetutshmërinë dhe konceptin
Bedri Hamza u zgjodh në krye të BQK-së pasi që dha dorëheqje nga posti i ministrit të Financave, por përzgjedhja e tij është kritikuar ashpër si ndërhyrje e qartë e partisë në pushtet në funksionimin e institucionit kryesor financiar të vendit.
Ndërsa, Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes ka thënë se presidentja Jahjaga do të ndjek procedurën kushtetuese dhe ligjore për nënshkrimin apo kthimin e vendimeve që i merr Kuvendi i Kosovës, e në këtë rast edhe për zgjedhjen e drejtorit të BQK-së.
Për vendimin nëse presidentja do ta nënshkruajë apo jo këtë zgjedhje të Kuvendit, opinioni do të njoftohet në afatin ligjor, ka shpjeguar Vllahiu.