19 Nëntor 2024

KDI kërkon kategorizimin pagave për drejtorët komunalë

Prishtinë, 21 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në kuadër të projektit të monitorimit të kuvendeve komunale ka identifikuar disa lëshime mbi rregullimin e degës ekzekutive në komuna dhe nivelin e pagave të drejtorëve komunale.

Duke marrë parasysh që tanimë është fillimi i mandatit të ri të institucioneve të qeverisjes lokale dhe kryetarët e rinj janë në proces të përzgjedhjes së drejtorëve komunal, KDI jep rekomandimet e saj si të rregullohet mëzirë dega ekzekutive komunale.

Si rezultat i mungesës së bazës ligjore për rregullimin e numrit të drejtorive komunale në secilën komunë të Republikës së Kosovës, Kryetarët e Komunave dhe subjektet politike të përfaqësuara në koalicione qeverisëse në të shumtën e rasteve kanë shfrytëzuar këtë vakum ligjorë për rritjen e numrit të drejtorive komunale dhe akomodimin e individëve partiakë pa ndonjë ekspertizë të mirëfilltë në fusha të caktuara.

Si rrjedhojë, kemi pasur raste kur një komunë ka pasur deri në 14 drejtori komunale siç është rasti me Pejën dhe Mitrovicën;  13 drejtori siç është rasti i Lipjanit; nga 12 drejtori siç është Vushtrria e Gjakova dhe 11 drejtori siç është rasti me Rahovecin, Deçanin dhe Drenasin.  Rritja e numrit sipas praktikave të tilla mbi mungesën e një standardit ka rezultuar në shpenzime të resurseve publike dhe barrë e madhe për taksapaguesin e qytetarëve të komunave përkatëse.

Një dimension tjetër ka qenë edhe mungesa e stimulimit të stafit përkatësisht drejtorëve të drejtorive komunale duke prodhuar pengesa të shumta në drejtim të përzgjedhjes së drejtorëve profesionist dhe njohës të fushave përkatëse.

Aktualisht të gjithë drejtorët e drejtorive komunale paguhen në shumën prej 525€ (bruto);  pagë kjo e përcaktuar nga Udhëzimi Administrativ për Pagesën e Stafit Politik të lëshuar nga Kryeministria në shtator të vitit 2008.

Përderisa për komunat më të vogla me më pak përgjegjësi në dikasteret e tyre si ajo e Mamushës, Parteshit dhe Junikut, kjo pagë është më se e mjaftueshme, për komunat e mëdha kjo pagë është shumë e vogël për të rekrutuar profesionist të fushave si ajo e urbanizmit, zhvillimit ekonomik apo mbrojtjes së mjedisit. Kjo pagë mund të shpie deri tek rekrutimi i drejtorëve që nuk janë njohës të mirë të fushës dhe që mund të keqpërdorin paranë e komunës.

Po ashtu, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në disa nga komunat që monitoron rishtazi ka trajtuar edhe mungesën e përfaqësimit të gruas në vendimmarrje përkatësisht në udhëheqjen e drejtorive komunale dhe reflektimin pozitiv që të këtë përfaqësim të saj pas zgjedhjeve lokale 2013.

Sipas statistikave tona në nivel të Kosovës vetëm 7 % e drejtorive komunale janë udhëhequr nga femrat dhe çështja ma serioze në këtë aspekt bëhet kur kemi parasysh së në 17 komuna të Kosovës nuk ka pasur fare përfshirje të gruas në vendimmarrje duke anashkaluar tërësisht pjesëmarrjen e saj në jetën politike dhe sociale.

Duke parë problematikat e shumta të cilat i kanë përcjellë kuvendet komunale, Instituti Demokratik i Kosovës i rekomandon MAPL-s dhe Kryetarëve të rinj që:

1.      Të iniciohet nga MAPL themelimi i bazës ligjore në rregullimin e numrit të drejtorive  nga gjashtë deri në dhjetë drejtori në bazë të numrit të ulëseve në kuvende komunale. Për çdo 5 ulëse në kuvend komunal të ketë një drejtori në ekzekutiv.

2.      Të bëhet kategorizimi i pagave të drejtorëve komunal në bazë të numrit të ulëseve në kuvende komunale, ashtu siç është edhe për kryetarë të komunave.

3.      Pas kategorizimit, të ngritën koeficientet e pagave për drejtorët e komunave më të mëdha me Ligjin për Pagat e Funksionarëve publik;

a.       Komunat me 35 (Pejë, Gjakovë, Gjilan) ulëse për një koeficient;

b.      Komunat me 41 ulëse (Prizren dhe Ferizaj) për një koeficient e gjysmë;

c.       Komuna e Kryeqytetit me 51 ulëse për 2 koeficiente;.

4.      Kryetarët e sapo zgjedhur në procesin e emërimit të udhëheqësve të drejtorive të marrin parasysh përfaqësimin gjinor në emërimin e drejtorëve.
 
Po ashtu, gjatë monitorimit të punës së komunave, KDI ka vërejtur ueb-faqet zyrtare të komunave nuk janë shfrytëzuar për të bërë transparente paranë publike të komunave.

Më pak se gjysma e komunave, (vetëm 15 komuna nga 37) kanë bërë publike Buxhetin e Komunës për 2013 në ueb-faqe, ndërsa Buxhetin e Komunës për vitin 2014 e kanë bërë publike në ueb-faqe vetëm 3 komuna nga gjithsej 37 komuna.

KDI bënë thirrje që drejtorët e ri komunal të jenë më transparentë me paranë e komunës dhe të shfrytëzojnë ueb-faqet ku secili qytetarë i komunës mund ta dijë buxhetin e komunës si dhe shpenzimet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)