02 Maj 2024

Katër vjet të ekonomisë së Kosovës

Prishtinë, 19 shkurt - Me gjithë problemet me të cilat është përballur ekonomia e Kosovës gjatë katër vjetëve të funksionimit si shtet i pavarur dhe sovran, ajo ka pasur zhvillime pozitive në disa sektor. Pas pavarësimit të Kosovës, sektori që ka pësuar ndryshime për të mirë konsiderohet zhvillimi dhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore në vend, në të cilin për katër vjet Qeveria e Kosovës ka investuar qindra miliona euro. Arritje tjetër e shtetit më të ri në botë është anëtarësimi i saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe në Bankën Botërore (BB). Anëtarësimi në këto dy organizata të mëdha financiare ndërkombëtare e ka rritur besimin se Kosova po bëhet vend i besueshëm për investime të huaja.

Tregtia e jashtme, ndërkaq, gjatë katër vjetëve të pavarësisë ka pësuar ndryshime pozitive si në eksport dhe rritje të importit. Kështu që, eksportet në vitet e shtetësisë së Kosovës janë realizuar në përputhje me politikat e Qeverisë së Kosovës dhe pjesëmarrësve të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces.

Padyshim se katër vjetëve duhet përmendur marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), e cila nuk është respektuar në masë të madhe nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, të cilat nuk pranojnë produktet nga Kosova në vendet e tyre.

Rritja e shkallës së importit ka reflektuar edhe në çmimet e konsumit në Kosovë. Si duket, ka pasur ulje të çmimeve në të gjitha vendet nga të cilat Kosova importon. Gjatë këtyre vjetëve është karakterizuar me një situatë të stabilizimit të çmimeve, përkatësisht me zbritje të vazhdueshme të çmimeve pas rritjes në vitin 2008. Kështu që, përderisa viti 2008 karakterizohej me një shkallë të lartë inflacioni, 2009, 2010 dhe 2011 kanë shënuar gradualisht shkallë deflacioni deri në muajt e fundit të këtij viti.

Për katër vjet Qeveria e Kosovës ka bërë përgatitjet për të thithur investime të mëdha në kompanitë publike që dikur ishin burim i të ardhurave si për qytetarët, por edhe për buxhetin e shtetit. Ndërmarrjet publike, sipas raportimeve të tyre, secila ka shënuar rritje të të hyrave, konsumatorëve dhe vlerës së aksioneve të korporatave.

Qeveria e Kosovës për 20 vjet ka dhënë me koncensionim Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari”.
Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), e cila njihet si baza e zhvillimit të ekonomisë telekomunikuese të vendit, ka sjellë shumë ndryshime. Gjatë kësaj periudhe janë bërë disa tentime që të shitet PTK-ja, por deri më tani nuk ka pasur sukses.

Në periudhën e funksionimit si shtet, në treg ka ardhur edhe kompania telekomunikuese IPKO, e cila ka sjellë shumë produkte.
Edhe pas katër vjetëve të pavarësisë së Kosovës vendi ende po përkrahet nga mërgimtarët tanë që radhiten se janë ndër të parët në botë së bashku me meksikanët, të cilët dërgojnë para për t’i ndihmuar familjet e tyre. Por, edhe të hyrat nga remitencat kanë shënuar rënie deri në 8 për qind.

Pavarësisht efekteve të krizës globale që pati prekur botën, sistemi bankar në Kosovë ka qenë stabil dhe i qëndrueshëm. Disa banka kanë vazhduar me fitime, por ka pasur disa të tjera që kanë shënuar edhe humbje. Por, ato që kanë mbetur të njëjta janë kamatat, të cilat, sipas ekspertëve, janë shumë të larta, duke i krahasuar me vendet e rajonit dhe standardin e jetesës. Asnjëra prej bankave nuk ka ulur normat e interesit për të cilat janë kritikuar aq shumë. 

Që nga paslufta qytetarët e vendit janë përballur me vështirësi elektrike. Besimi se pas pavarësisë së Kosovës do të ketë drita gjatë 24 orëve nuk u realizua 100 për qind. Vendimet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për të bërë shkyçje kolektive, patën hasur në shumë reagime, madje nga disa organizma për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut, duke marrë parasysh se është konsideruar si dënim kolektiv.

Edhe pse KEK-u e di se ndërprerja e rrymës në mënyrë kolektive që ka vazhduar nëpër zonat rurale shkel të drejtat elementare të konsumatorëve, kjo korporatë nuk ka arritur ta zgjidhë këtë problem, madje edhe në këtë vit ka vazhduar t’i aplikojë reduktimet sipas planit ABC.

Një problem që ende nuk po zgjidhet ka të bëjë me mjetet e akumuluara të privatizimit. Janë mbi 500 milionë euro që janë të investuar në institucione të jashtme.

Sido që të jetë, pavarësisht shumë problemeve me të cilat po përballet Kosova për të funksionuar si shtet me ekonominë e saj të dërmuar për shumë vite, ajo po e ruan primatin së bashku me Shqipërinë si vende që kanë rritje ekonomike prej disa përqindësh.
Ndërtimi i autostradës, investimet në energji, koncensionimi i Aeroportit dhe privatizimi i pjesshëm i PTK-së, thithja e investimeve të huaja do të jenë një bazë e mirë për ta zhvilluar ekonominë e Republikës së Kosovës. Po ashtu, një risi gjatë kësaj kohe ka qenë edhe lansimi i letrave me vlerë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)