19 Nëntor 2024

Katër milionë euro për ndërmarrjet Mikro të Vogla e të Mesme

Prishtinë, 5 shkurt - Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme do të kenë një mbështetje të madhe financiare. 4 milionë euro janë ndarë të mërkurën për mbështetjen e këtyre ndërmarrjeve.

Kjo shumë e ndarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Bashkimi Evropian ka për qëllim të ndihmojë ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme në rritjen e performancës së tyre, rritjen e konkurrentshmërisë në tregun e jashtëm, si dhe rritjen e punësimit në vend.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, z. Bernard Nikaj, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për projektin  "Mbështetje të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme" në mes Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), tha se marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim kryesor të ndihmojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në qasjen më të lehtë në financa.

“Qasja në financa është njëra nga sfidat kryesore të ndërmarrjeve vendore Mikro, të Vogla dhe të Mesme për rritjen e biznesit të tyre, posaçërisht arritja e një stadi ku ata mund të eksportojnë prodhimet e tyre dhe të rrisin punësimin."

"Nëpërmjet këtij projekti, ne së bashku me Bashkimin Evropian jemi munduar të adresojmë këtë sfidë të sektorit privat dhe si i tillë projekti, që ka vlerë 4 milionë euro, ka për qëllim të ofrojë grante dhe bashkëfinancim në projekte, ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme”, tha Nikaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së përbashkët për realizimin e projektit "Mbështetje të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme”.

Udhëzimet për aplikim të ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme, detajet dhe specifikat tjera, do të bëhen të ditura në fillim të muajit mars kur edhe do të fillon aplikimi i ndërmarrjeve. Projekti kapë vlerën prej 4 milionë eurosh, prej të cilave 3 milionë euro janë ndarë nga BE-ja ndërsa 1 milion nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) do të jetë implementuese e projektit.

“Ky projekt ka për qëllim stimulimin e prodhimit vendor, stimulimin e eksportit dhe qëllimi i tretë është krijimi i vendeve të punës”, tha  u.d. i ministrit të Tregtisë e Industrisë. Bizneseve në Kosovë do t’u ofrohen grante në vlerë prej 6 mijë deri në 25 mijë euro, kurse, bizneseve të mesme dhe të mëdha nga 60 mijë deri në 200 mijë euro. Fizibiliteti dhe kualiteti i propozimeve dhe i projekteve që kanë ndërmarrjet, do të mbetet kriteri kryesor.

“Kriteri kryesor do të jetë fizibiliteti dhe kualiteti i propozimeve dhe i projekteve që këto ndërmarrje i kanë, çdo ndërmarrje që është e regjistruar dhe operon në Kosovë, do të ketë të drejtë që të aplikojë dhe pastaj do t’i nënshtrohet procesit të vlerësimit dhe kushdo që del me projekte më të mira do të jetë përfitues i grantit”, theksoi Nikaj.

Shefi i Bashkëpunimit pranë Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock ka thënë se kjo është një marrëveshje në të mirën e zhvillimit ekonomik në Kosovë.

"Qëllimi i këtij projekti është që të rritet performanca, konkurrenca dhe kapacitetet për eksport dhe punësim në ndërmarrjet kosovare, duke iu ofruar atyre një qasje alternative në financa përmes granteve. Projekti aktual po ashtu është komplementar për një veprim edhe më të gjerë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që financohen nga BE-ja në kuadër të IPA-s 2013-tës, e që ka në fokus zhvillimin e sektorit privat dhe të tregtisë përmes iniciativave si mbështetje për politikat tregtare dhe rritjes së kapaciteteve të ndërmarrjeve të vogla e të mesme për eksport dhe konkurrueshmëri", ka thënë ai.

Ky është vetëm projekti i parë për këtë vit në mbështetjen e ndërmarrjeve vendore, u.d i ministrit të MTI-së, Bernard Nikaj, paralajmëroi se në ditët në vijim do të shpalosen edhe projektet tjera që do adresojnë sfidat tjera me të cilat ballafaqohet sektori privat.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)