Katastrofa sjell rënie të prodhimit industrial në Japoni
Tokio, 29 prill - Tërmeti dhe cunami i 11 marsit e kanë dëmtuar rëndë ekonominë japoneze.
Siç njoftoi ministria e Ekonomisë prodhimi industrial në mars pësoi një rënie prej 15,3 përqind në krahasim me një muaj më parë.
Kjo është rënia më e madhe që prej vendosjes së indikatorit matës në vitin 1953. Veçanërisht e prekur është industria e automobilëve.
Për muajin prill ministria parashikon një rikthim të fuqisë ekonomike. Prodhimi pritet të rritet me 3,9 përqind.
Autoritetet i vlerësojnë dëmet nga tërmeti dhe cunami të arrijnë në 210 miliardë euro.