Karl Sevelda është emëruar drejtor i Raiffeisenit
Vjenë, 7 qershor - Bordi Mbikqyrës i Raiffeisen Bank International AG (RBI) ka pranuar sot dorëheqjen e Herbert Stepic nga pozita e Drejtorit Ekzekutiv. Herbert Stepic ka ofruar dorëheqjen e tij për arsye personale me datë 24 maj 2013.
Karl Sevelda (63), i cili deri më tani ka qenë anëtar i Bordit Menaxhues të RBI për Biznes me Korporata, është emëruar si Drejtor i ri Ekzekutiv i RBI, dhe do ta marrë detyrën e tij menjëherë. Ndërsa, Johann Strobl është emëruar zëvendësdrejtor ekzekutiv i RBI.
\"Karl Sevelda ka qenë pjesë e bankës për 15 vjet, Zëvendësdrejtor Ekzekutiv që nga viti 2010 dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera si me klientë ashtu edhe me Austrian Raiffeisen Banking Group. Emërimi i tij është një shprehje e besimit nga ana e Bordit Mbikqyrës për ta vazhduar strategjinë aktuale. Ne konsiderojmë se vazhdimësia si e menaxhmentit ashtu edhe aktiviteteve afariste është njëri nga faktorët kyç të suksesit, sidomos në rrethana sfiduese tha Walter Rothensteiner, Kryetar i Bordit Mbikqyrës të RBI. \"Në emër të Bordit Mbikqyrës, e falenderoj Herbert Stepic për më shumë se 40 vjet përkushtimi dhe për meritat e tij të jashtëzakonshme për suksesin e Raiffeisen Banking Group. Vizioni i tij strategjik dhe aftësitë e tij për implementimin efektiv ka luajtur një rol qenësor në ndërtimin e RBI si grupin bankar kryesor në Austri dhe në Evropën Qendore dhe Lindore, shtoi z. Rothensteiner.
Karl Sevelda ka përvojë në industrinë bankare për 35 vjet, duke përfshirë 20 vjet në Creditanstalt. Nga viti 1998 deri në vitin 2010, ai ka qenë anëtar i Bordit Menaxhues të Raiffeisen Zentralbank Österreich AG ndërsa që nga viti 2010 ka qenë zëvendësdrejtor Ekzekutiv i Bordit Menaxhues të RBI.
Krahas pozitës së tij të re si Drejtor Ekzekutiv, Sevelda do të vazhdojë të jetë përgjegjës për njësinë e Biznesit me Korporata derisa Bordi Mbikqyrës i RBI ta emëroj dikë tjetër.