Kapen afër 30 kilogram heroin në pikëkalimin kufitar të Kullës
Pejë 24 mars - Dogana e Kosovës ka njofuar se gjatë kontrollimit të automjeteve që vinin nga Mali i Zi për në Kosovës oficerët doganor së bashku me ata policor kanë arritur të kapin rreth 30 kg lëndë narkotike të llojit heroin tek një shtetas i Malit të Zi.
Dogana thekson se rreth orëve të mesditës së sotme në pikë-kalim ka arritur një automjet me targa të Malit të zi i cili drejtohej nga një shtetas i po këtij vendi.
Gjatë pyetjeve fillestare oficerët doganor kanë vërejtur se personi ka frikë dhe e kanë ndalur për kontroll të mëtejmë. Oficerët kanë filluar kontrollën me pajisjet e specializuara amerikane ku në pjesët anësore të automjetit ka pasur indikacione se ka diçka të fshehur, në ato momente personi i dyshuar ka tentuar që të futet në veturë dhe të largohet por falë intervenimit të oficerëve doganor dhe policor personi është ndaluar dhe arrestuar.
Vetura është futur për kontrolle detale, ku gjatë kontrollit në pjesën e pasme të veturës - mbrapa dyerve të vozitësit nga ana e majtë gjenden 7 qese të zeza dhe nga ana e djathtë mbrapa dyerve të bashkudhëtarit po ashtu 7 qese të zeza të ngarkuara me substancën e dyshuar narkotike e llojit heroin. Rasti dhe sasia prej rreth 30 kg substancë narkotike i është dorëzuar policisë derisa personi është arrestuar.
Dogana e Kosovës është e përkushtuar në mbrojtjen dhe luftimin e dukurive negative, gjithashtu dogana falënderon qeverinë amerikane për përkrahjen e vazhdueshme si me pajisje po ashtu edhe me trajnime.