Kanada mbështet Kosovën në aspektin ekonomik
Prishtinë, 10 dhjetor - Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim ambasadorin kanadez në Kroaci Daniel Maksymiuk i ngarkuar edhe për Kosovë, ku kanë biseduar lidhur me thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik në mes të dy vendeve.
Me këtë rast Ministri Hoti e falënderoi Ambasadorin Maksymiuk për vizitën dhe për mbështetjen e përhershme që shteti Kanadez i ka dhënë Kosovës, dhe e njoftoi atë për ndryshimin e politikave fiskale në favor të bizneseve.
Ministri Hoti gjithashtu shprehi gatishmërinë e tij për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional, me theks të veçantë në thithjen e investimeve të huaja.
Ndërsa, Ambasadori Maksymiuk falënderoi Ministrin Hoti për pritjen dhe shprehi gatishmërinë e tij dhe të shtetit kanadez për ta mbështetur Kosovën në aspektin ekonomik dhe politik edhe në të ardhmen, si dhe përkushtimin për të rritur investimet e bizneseve kanadeze në Kosovë.