Kamberi informon udhëheqësit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës
Prishtinë, 24 shkurt - Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi, i shoqëruar nga drejtori i Departementit të Pensioneve në MPMS, Bahri Xhaferi, ka zhvilluar sot takim të karakterit njoftues me përfaqësues të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga, Shaban Kajtazi, me çrast u njoftua edhe për së afërmi me gjendjen dhe statusin e përgjithshëm të pensionistëve.
Zv/ministri Kamberi shprehu mirëkuptimin e tij për pensionistët dhe u premtoi atyre se bashkëpunimi i ndërsjelltë me Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës dhe shoqatave tjera relevante do të vazhdoj edhe në të ardhmen ku do të shfrytëzoi të gjitha mundësitë e tij si zëvendësministër për ti përkrahur kërkesat e tyre në përmirësimin e kushteve në objektin e organizatës së pensionistëve, aty ku edhe e kalojnë kohën si dhe një mirëqenie më të mirë për këtë kategori në shoqërinë tonë.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe çështja e objektit të Lidhjes së Pensionistëve në Komunën e Mitrovicës, e cila sipas kryetarit të kësaj shoqate nuk i përmbush kushtet elementare për zhvillimin e aktiviteteve të tyre.
Lidhur me këtë çështje zv/ministri Kamberi u zotua se MPMS pas dorëzimit të projektit të detajuar nga ana e lidhjes së pensinonistëve do të procedohet menjëherë për të filluar punët e ndërtimit gjatë këtij viti duke kërkuar mbështetje edhe nga donatorët tjerë.
Ndërkaq përfaqësuesi i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës z. Shaban Kajtazi shprehu falenderimet e tij rreth angazhimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm që MPMS ka treguar çdo herë dhe premtoi se ata do të angazhohen në çdo rrethanë sa i përket përmirësimit të gjendjes ku ndodhen aktualisht.