Kamatat e larta të kredive po dëmtojnë bizneset
Prishtinë, 27 shkurt - Bizneset e Kosovës po përpiqen maksimalisht që tu ikin kredive për shkak të normave të larta të interesit bankar.
Ata thonë se nuk po arrijnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre për shkak të mungesës së mjeteve financiare, derisa ofertat e bankave për kredidhënie nuk janë aspak të favorshme për bizneset.
Faik Konushevci, udhëheqës i kompanisë Sole Kosova, e cila merret me përpunimin e mishit dhe përpunimin e pemëve e perimeve, tregon se normat e larta të interesit po ngufatin biznesin e tij.
Normat e larta të interesit të bankave janë pengesë shumë e madhe për ne. Këto norma janë shumë të larta dhe të papërballueshme për biznesin privat në Kosovë. Ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e konsumatorit dhe në zhvillimin e biznesit, shpjegon Konushevci për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se bankat në Kosovë janë plotësisht komerciale dhe nuk ndihmojnë aspak bizneset.
Normat e larta të interesit nga bankat komerciale kritikohen edhe nga përfaqësues të kompanisë ASK Foods, në Gjilan e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve.
Pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori bankar nuk ka qenë shumë mbështetës për biznese për shkak të normave të larta të kredive.
Krahasuar me vendet e rajonit, Namoni thotë se bankat komerciale në Kosovë kanë normat më të larta të kredive.
Duke marrë parasysh normat e kredive që ofrohen në rajon, në Kosovë janë më të lartat. Kjo na bën që në shumicën e rasteve të mos jemi konkurrent me rajonin për shkak të normave të larta të interesit që aplikohen nga bankat komerciale në Kosovë, thotë ai.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, ulja e normave te interesit do të kishte ndikime pozitive.
Fillimisht, ulja e normave të interesit, thonë ata, do të krijonte rritje në nivelin e investimeve private, gjë që do të rezultonte edhe me vende të reja te punës.
Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës i publikuar në fund të vitit të kaluar thuhet se kredimarrja ka shënuar rënie.
Duke u bazuar në rezultatet e anketës së shtatorit 2012, të realizuar në bankat, të cilat operojnë në Kosovë, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesë për kredi.
Po ashtu, deri në një masë, sipas raportit të BQK-së, ka ndikuar edhe shtrëngimi i kushteve për kredidhënie nga ana e bankave, gjë që u reflektua në rënie të ofertës për kredi.