Jep dorëheqje drejtori i Institutit Hidrometeorologjik Sylë Tahirsylaj
Në ceremoninë e ditës së fundit në kapacietin e drejtorit të IHMKsë, morën pjesë edhe zëvendësministrat e MMPH, Ferat Shala dhe Shpëtim Rudi, sekretari i përgjithshëm i MMPH, Arben Citaku e shumë bashkëpunëtorë tjerë.
Si një ndër institucionet e para të Kosovës të rikrijuara pas luftës, IHMK nën drejtimin e prof. Dr Tahirsylaj, ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit të ri, duke kryer detyrat dhe përgjegjësitë konform kërkesave të qytetarëve.
Kontributi i prof.dr Tahirsylaj si drejtor i IHMK padyshim se më meritori ka qenë vënia e infrastrukturës funksionale e fleksibile, duke e zhvilluar institutin në tri sektore shumë të rëndësishme, sektorin e meteorologjisë, hidrologjisë dhe laboratorin për analiza fiziko-kimike të ujit, ajrit dhe tokës.
Ai gjithashtu ka dhënë kontribut të paharrueshëm edhe në hartimin e bazës ligjore për punën e këtij instituti, duke inicuar dhe mbështetur deri në fund miratimin e ligjit për veprimtarinë hidrometeorologjike të Kosovës.
Nën udhëheqjen e prof. Dr Tahirsylaj, IHMK ka qenë zëri i pakontestueshëm kur ishte në pyetje parashikimi i motit dhe ofrimi i të dhënave për parametrat klimatologjikë për tërë territorin e Kosovës, përmes stacioneve meteorologjike në 5 qendrat e Kosovës.
Në ngritjen e sistemit të monitorimit, prof. Tahirsylaj ka zhvilluar edhe rrjetin hidrometrik të Kosovës, që aktualisht ka 22 stacione që bëjnë matjen e nivelit dhe sasisë së ujërave, rrjetin e monitorimit të cilësisë së ajrit dhe pajisjen e laboratorit me mjetet më moderne për analizat e cilësisë së ujërave, tokës dhe ajrit.
Kabineti i Ministrit të Mjedisit dhe i gjithë stafi ministror falenderojnë prof. Dr Tahirsylaj për punën e palodhshme në afrimin e punës së IHMK në skenën ndërkombëtare dhe anëtarësimin e IHMK në Organizatën Ndërkomëbëtare të meteorologjisë dhe certifikimin e IHMK në EUMETSTAT.