Japonia mbështet krijimin e hartave topografike digjitale të Kosovës
Prishtinë, 2 nëntor - Pas përmbushjes së projektit për pajimin e kompanive regjionale të mbeturinave me 43 kamionë kompaktorë, Agjensioni Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) do të vazhdojë të ndihmojë Qeverinë e Kosovës duke siguruar makinerinë dhe asistencën teknike për krijimin e hartave topografike digjitale të Kosovës.
Përfaqësuesi JICAs, Akihito Sanjo, zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Mirena dhe kryeshefi ekzekutiv i Agjensionit Kadastral të Kosovës, Murat Meha, nënshkruan marrëveshjen për fillimin e projektit për mbështetjen e Planit Hapësinor të Kosovës me harta të sakta topografike urbane dhe një hartë kombëtare.
Në kuadër të reformës së administratës publike, Qeveria e Kosovës në të ardhmen do të paraqesë instrumentin E-qeverisja, ku qytetarët do të kenë mundësi tu qasen shërbimeve publike dhe informatave tjera përmes internetit. Si pjesë e këtij projekti është edhe zhvillimi i sistemit informativ gjeografik.
Me kërkesë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Qeveria e Japonisë, përmes JICAs do të ofrojë mbështetje për krijimin e hartave të shkallës 1:25000 të hartës kombëtare, 1:5000 të hartës topografike urbane dhe të dhënat për sistemin informativ gjeografik.
Projekti përveç përgaditjes së hartës digjitale topografike, parasheh edhe zhvillimin e resureseve njerëzore për informacionet gjeohapësinore. Vlera e këtij projekti është rreth 4 milionë euro.