Japonia është e gatshme të mbështesë Eurozonën
Tokio, 28 shtator - Qeveria japoneze është e gatshme të blejë më tepër obligacione nga fondi i ndihmës evropiane nëse autoritetet e zonës euro krijojnë një mekanizëm të aftë të qetësojë tregjet, u shpreh sot ministri japonez i Financave, Jun Azumi.
Ministri Azumi deklaroi sot se vendi i tij është i gatshëm të blejë më tepër obligacione nga fondi i ndihmës evropiane nëse autoritetet e zonës euro krijojnë një mekanizëm të aftë të qetësojë tregjet.
Konkretisht gjatë konferencës për shtyp në Tokio, Jun Azumi tha: Nëse zbatohet një plan për zbutjen e tensioneve në tregjet financiare duke ndihmuar Greqinë, nuk përjashtoj që Japonia të marrë pjesë në të.
Ministri japonez i Financave iu referua blerjeve të reja nga Japonia të obligacioneve të emetuara nga Fondi evropian i stabilitetit financiar, FESF, fondi i ndihmës për vendet e zonës euro të zhytura në borxh.
Zëdhënësi i komisionerit evropian të Çështjeve Ekonomike, Olli Rehn, përmendi dje mundësinë e një forcimi të burimeve të FESF e cila sot mund të japë një shumë deri në 440 miliardë euro, një kapacitet i pamjaftueshëm për të ndihmuar disa vende si Italia ose Spanja të kërcënuara edhe nga kriza e borxhit.
Japonia ka investuar rreth 2.68 miliardë euro ose ndryshe 20% të shumës totale të obligacioneve të reja që prodhoi FESF në gjysmën e parë të vitit për të mbështetur Islandën dhe Portugalinë.
Japonia është fuqia e tretë ekonomike në botë dhe vendi i dytë me rezervat më të mëdha monetare pas Kinës.