Janë përmbushur me sukses të gjitha kriteret
Prishtinë, 17 shtator - Ministri i Financave Besim Beqaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës i ka përmbushur me sukses të gjitha kriteret e parapara me marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në konferencën e sotme për media me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të udhëhequr nga z. Johaness Wiegand ministri Beqaj tha se gjatë kësaj vizite është diskutuar mbi të arriturat e Qeverisë, në kontekstin e programit me FMN-në.
Ministri Beqaj tha se në vitin 2014 Kosova pa dilemë do të ketë një stabilitet buxhetor dhe se do të ketë edhe rritje të pagave.
Edhe pse kjo vizitë nuk është prej atyre vizitave të Misionit për Rishikim të Marrëveshjes, ne kemi diskutuar rreth përmbushjes së caqeve kuantitative dhe atyre strukturore për fund të muajit gusht. Më pas, ne do të vazhdojmë me diskutimet me FMN, për tu dakorduar në tërësi, tha me këtë rast ministri Beqaj.
Për sa i përket Buxhetit 2014, ne kemi diskutuar në detale për procesin dhe përmbajtjen e Buxhetit në pika të përgjithësuara. Tani që kemi Rregullën fiskale në fuqi, jemi dakorduar që deficiti i përgjithshëm për vitin 2014 të jetë 2% i GDP-së, tha i Ministri i Financave.
Ai tha se janë pajtuar në terme të përgjithshme për sa i përket të hyrave buxhetore dhe strukturës së tyre pra nuk ka diferenca dhe shtoi se gjithashtu janë dakorduar për mënyrën e ecjes përpara me projektin e Rrugës 6.
Ministria e Financave gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar dëgjimet buxhetore, dhe posa të përfundojmë me këtë proces, ne do të përgatisim një draft gjithëpërfshirës të Buxhetit tha ministri Besim Beqaj.
Me këtë rast Ministri i Financave tha se me apo pa privatizimin e PTK-së, Qeveria e Kosovës do të jetë e gatshme ti realizojë të gjitha prioritete e saja, përfshirë këtu dhe autostradën e 6-të dhe të gjitha investimet tjera dhe projektet kapitale, që kanë qenë në kornizën afatmesme të shpenzimeve konform planit të paraparë.
Ai gjithashtu tha se deri në përfundim të Programit me FMN-në, na ka mbetur edhe një Rishikim në Nëntor të këtij viti dhe shprehi besimin se edhe rishikimi i radhës do të jetë i suksesshëm.
Ndërsa, kryesuesi i delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Johannes Wiegand , pohoi se gjatë vizitës së misionit të FMN-së në Kosovë është diskutuar mbi indikatorët kryesor ekonomik gjatë kësaj periudhe të vitit 2013. Të gjithë indikatorët e paraparë me program janë përmbushur deri më tani dhe se rishikimi i pestë dhe i fundit i programit do të bëhet gjatë vizitës së radhës në nëntor.
Ai po ashtu shtoi se tema kyçe të këtij misioni kanë qenë diskutimet rreth buxhetit për vitin 2014, zhvillimet që lidhen me privatizimin e PTK-se, ku janë diskutuar dy skenarë, njëri me privatizimin dhe tjetri pa privatizimin e PTK-së dhe në të dyja skenarët.
Kosova do të jetë në gjendje të sigurojë financim të projekteve të përcaktuara duke përfshirë edhe rrugën 6, dhe në të njëjtën kohë të siguroj një bilanc bankar të qëndrueshëm ashtu siç është paraparë me Rregullën fiskale, tha Wiegand.
Janë harmonizuar parametrat kryesor të buxhetit 2014 përderisa për detajet do të vazhdohet me diskutime gjatë takimeve vjetore të FMN-së dhe BB-së në Uashington në tetor, tha ai.