Jahjaga njoftohet me zhvillimin ekonomik të Podujevës
Prishtinë, 1 shkurt - Në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës, me qëllim të njoftimit me gjendjen e përgjithshme, me theks të veçantë me zhvillimin ekonomik, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Podujevës, ku u prit nga kryetari Agim Veliu.
Presidentja Jahjaga në takim shoqërohej nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.
Ata u njoftuan nga kryetari Veliu për zhvillimin ekonomik në komunën e Podujevës dhe problemet me të cilat përballet edhe pushteti lokal edhe bizneset që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë komunë.
Presidentja Jahjaga tha se me me kryetarin Veliu kanë biseduar për nivelin e zhvillimit ekonomik, projektet aktuale si dhe projektet e ardhshme për komunën e Podujevës.
\"Patjetër se diskutuam edhe për problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet kryetari dhe komuna e Podujevës\".
Qëllimi i këtyre vizitaveështë që së bashku me tri Odat Ekonomike të cilat veprojnë në Kosovë, me Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane dhe Odën Ekonomike Gjermane ti identifikojmë bashkërisht të gjitha këto sfida dhe probleme të themi kushtimisht të sistemit tonë të brendshëm, qofshin ato ligjore, qofshin ato administrative, byrokratike në mënyrë që sa më parë që është e mundur të gjejmë një zgjidhje institucionale dhe veçanërisht të kemi një komunikim më të mirëfilltë dhe më të mirë nga ana e nivelit qendror me atë lokal\", theksoi sipas Jahjagës .
Tanimë sipas Jahjagës është e ditur se zhvillimi ekonomik është më funksional dhe është më i qëndrueshëm vetëm atëherë kur kemi një klimë më të mirë të investimeve, veçanërisht për investimet e huaja, por edhe për investim përbrenda Kosovës.
Ndërsa Agim Veliu theksoi se ka informuar Presidenten për situatën aktuale për sa i takon zhvillimit ekonomik, me mundësitë, përparësitë që i ofron komuna e Podujevës, po natyrisht edhe më vështirësitë që i kemi gjatë punës së përditshme.
\"Sigurisht ne presim një angazhim më të madh të institucioneve qendrore, në mënyrë që të lehtësohen edhe procedurat e ndryshme për sa i takon bërjes së biznesit edhe lehtësirave të ndryshme, por edhe komunave tju mundësohet që të kenë raporte në këtë fushë me ata që janë të interesuar të investojnë kapitalin e tyre nëpër komuna. Sepse, fundja ne e kemi edhe si përgjegjësi ofrimin e kushteve për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë kapitalin e tyre në komunat e Kosovës.\"
\"Ne po përballemi më vështirësitë e ndryshme për sa i takon pronave. Pronat janë nën autoritetin e Agjencisë së Privatizimit dhe të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës\", theksoi Veliu.
Pastaj sipas tij nevojiten disa ndryshime edhe në ligjet aktuale në mënyrë që të lehtësohen procedurat e investitorëve të ndryshëm, sidomos atyre të huaj sepse ata nuk kanë as kohë, as durim që të merren shumë gjatë me procedura edhe me humbje kohe për të investuar kapitalin e tyre në një vend që është me interes për ne.
Në anën tjetër kryetari i OEAK Arian Zeka pohoi se tashmë e kanë të qartë nga të gjitha vizitat që i kanë pasur deri tash në komuna të ndryshme dhe nga takimet me kryetarë se problemet pothuajse janë të ngjashme dhe kjo në njëfarë mënyre e lehtëson lobimin ose avokimin në fazat e mëtutjeshme, kurdo që do të përpiqemi që së bashku me komunat, së bashku me tri asociacionet e biznesit të cilat jemi pjesë e kësaj iniciative të shtyjmë përpara ndryshimin e këtyre praktikave momentale dhe eliminimin e këtyre pengesave me të cilat kryetarët e komunave edhe komunat përballen dhe që natyrisht u lidh atyre duart në pasurimin e ofertës para investitorëve potencial të huaj.
\"E kemi thënë edhe ma herët, realisht asnjë reformë fiskale dhe asnjë ndryshim tjetër që është bërë nga ana e nivelit qendror të qeverisjes nuk mund të ketë kuptim dhe nuk mund të sjellë rezultate pozitive në tërheqjen e investimeve të huaja, nëse komunat, pra nëse aspekti lokal i zhvillimit ekonomik e që janë komunat përballen me probleme të tilla byrokratike\", nënvizoi Zeka.