Jahjaga kërkon zgjidhje të përshtatshme për pensionistët
Prishtinë, 17 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga zotëri Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes.
Përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës e njoftuan Presidenten Jahjaga për punën, aktivitetet si dhe çështjet me të cilat përballen pensionistët e Kosovës.
Ata e vlerësuan të rëndë gjendjen e pensionistëve të Kosovës dhe theksuan nevojën e rregullimit të çështjes së tyre përmes miratimit të ligjit për skemat pensionale.
Përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës gjithashtu e njoftuan Presidenten Jahjaga edhe për kërkesat e bëra në institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit të Fondit Pensional të Kosovës, në bazë të kontributeve nga e kaluara.
Presidentja Jahjaga tha se i mirëkupton kërkesat e pensionistëve të Kosovës dhe theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara që, duke u bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit, të gjejnë zgjidhje të përshtatshme për pensionistët e Kosovës.