Jahjaga: Do të thyhen barrierat për fuqizimin ekonomik të gruas
USAID-i përmes Programit për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial (CLE) ka organizuar ketë konferencë për të prezantuar gjetjet e Raportit për Barazinë Gjinore në Biznes.
Raporti paraqet perceptimet e qytetarëve për barrierat me të cilat përballen gratë për të pasur qasje si në ambientin ekonomik ashtu edhe atë ligjor, si dhe në krijimin e një forumi për diskutime të vazhdueshme për ketë temë të rëndësishme.
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është duke ofruar ndihmë ekonomike dhe humanitare në mbarë botën për më shumë se 50 vjet. Ketë vit USAID-i shënon 15 vjetorin e Partneritetit për Ndryshim Pozitiv në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me kete rast ka thënë se fuqizimi i grave sjell ndryshime në shoqëri, ndaj duhen thyer gjitha barrierat që gruaja të punojë për zhvillim ekonomik të vendit.
Sipas Jahjagës, në Kosovë gratë udhëheqin vetëm 6 përqind të bizneseve dhe vetëm 8 përqind e pronës është në emër të grave.
Gruaja në Kosovë sipas saj për shumë kohë, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm jo vetëm në mbajtjen dhe ruajtjen e familjes, por edhe në ndërtimin dhe konsolidimin e shtetësisë, në fuqizimin e institucioneve të vendit dhe zhvillimin e demokracisë, përmes pjesëmarrjes së saj të drejtpërdrejtë në të gjitha proceset.
Për dekada me radhë, gruaja në Kosovë ka dëshmuar vendosmërinë për të bërë ndryshime pozitive në shoqëri, duke dëshmuar se ky ndryshim fillon me të, për të sjellë vlera të mirëfillta demokratike, si dhe për të thyer paragjykimet për të dhe vlerat e saj.
"Përpjekjet për ta fuqizuar ekonomikisht gruan, janë përpjekje për të treguar jo vetëm nivelin e demokratizimit të shoqërisë por, mbi të gjitha, për ta orientuar vendin drejt një zhvillimi më të drejtë dhe më të hovshëm ekonomik. Fuqizimi ekonomik i gruas është fuqizim i shoqërisë në tërësi, është investim në të ardhmen dhe garantues i prosperitetit të vendit."
"Thellësisht jam e bindur se fuqizimi ekonomik i grave, do të na sjellë fuqizimin e tyre në politikë dhe vendimmarrje, aty ku çdo ditë vendoset për fatin e fëmijëve tanë, për të ardhmen e vendit por edhe më gjerë", ka theksuar Jahjaga.