Jacobson shprehi gatishmërinë e SHBA për përkrahjen ndaj Kosovës
Prishtinë, 31 maj - Ministri i Financave Besim Beqaj priti sot në vizitë zyrtare ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë,Tracey Ann Jacobson, të cilën e falënderoi për mbështetjen dhe përkrahjen amerikane në të gjitha fazat e zhvillimit të shtetit të Kosovës, veçanërisht për kontributin e dhënë në ngritjen e kapaciteteve të brendshme në institucionet kyçe të vendit.
Me këtë rast, Ministri Beqaj potencoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që përkrahja dhe ndihma që i është dhënë deri më tani Kosovës të vazhdojë edhe në të ardhmen, meqenëse Kosova ka nevojë për përkrahjen e partnerëve strategjikë të saj.
Ministri Besim Beqaj, njoftoi Ambasadoren Jacobson për gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend dhe veçanërisht me zhvillimet makrofiskale, dhe në këtë drejtim ai theksoi se indikatorët makroekonomik janë pozitiv duke marrë parasysh situatën e përgjithshme në rajon dhe ekonominë globale.
Gjithashtu Ministri Beqaj e njoftoi Ambasadoren Jacobson për vizitën e misionit të FMN-së dhe progresin e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e kritereve të Marrëveshjes Stand-By.
Ndërsa, në anën tjetër Ambasadorja Jacobson e përgëzoi Ministrin Beqaj për funksionin e tij të ri si Ministër i Financave dhe njëherit shprehi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.