Jacobson anëtare nderi e Odës Amerikane
Prishtinë, 19 tetor - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, u shpall anëtare e nderit të Bordit të Drejtorëve i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Ambasadorja Jacobson shprehu kënaqësinë e saj për faktin që do të jetë anëtare e nderit e Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane dhe u zotua se agjenda e saj e punës do të jetë e fokusuar në çështjet ekonomike si parakusht për fuqizimin e shtetit të Kosovës. Ajo falënderoi Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë për rolin e saj në fuqizimin e sektorit privat dhe për iniciativat për krijimin e një mjedisi më të mirë për të bërë biznes në vend.
Në anën tjetër, presidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane, Erolld Belegu informoi ambasadoren për misionin e fundit tregtar dhe forumin kosovar të investimeve të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe theksoi se sektori privat mbetet çelësi i zhvillimit ekonomik të vendit. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi nga ambasadorja që të ndihmojë në tërheqjen e më shumë investitorëve amerikanë në vend.
Në vijim të takimit, anëtarët e Bordit të Odës Amerikane patën mundësi që të diskutojnë për sfidat me të cilat përballet komuniteti i biznesit në Kosovë, duke potencuar rëndësinë e përmirësimit të mëtejmë të komunikimit të mes të qeverisë, komunitetit të bizneseve dhe shoqërisë civile.