02 Maj 2024

Italia urdhëroi bankat të ofrojnë shërbime falas për të varfërit

Romë, 28 shkurt - Qeveria italiane e kryeministrit teknokrat, Mario Monti urdhëroi së fundmi bankat të ofrojnë shërbime falas për shtresat më të varfra të shoqërisë si dhe pagesa me kartë bankare falas në një numër facilitetesh si pikat e karburantit, njoftoi dje gazeta “Corriere”.

Monti udhëheq një qeveri ekspertësh dhe në të shkuarën është kritikuar shpesh si i emëruar i bankave për të qeverisur krizën ekonomike italiane.

Por me vendimin e fundit duket se synon të lehtësojë shtresat e varfra të italianëve nga komisionet e bankave, të cilat në këtë vend janë veçanërisht të rënda në krahasim me vendet e tjera të zhvilluara.

Vendimi thotë se llogaria korrente për pensionistët me të ardhura më të ulëta se 1500 euro në muaj duhet të ketë kosto zero për hapje dhe mirëmbajtje.

Në Itali, kostoja vjetore e mbajtjes së një llogarie bankare është 110 euro. Rreth 70 për qind e pensionistëve italianë mund të klasifikohen në kategorinë e atyre që do të përfitojnë nga vendimi i Montit.

Në Shqipëri, komisionet bankare për shërbimet bazë si llogaria korrente nuk kanë ekzistuar deri pak vite më parë. Por detyrimi ligjor për të tërhequr pagën në një bankë që u ndërmor nga qeveria në vitin 2004, bëri që bankat të fillojnë të vendosin tarifa. Pas krizës së vitit 2008, tarifat bankare u rritën ndjeshëm.

Aktualisht shqiptarët paguajnë 1 deri në 1.5 euro në muaj për mirëmbajtje llogarie, ndërsa shoqërimi i llogarisë me një kartë debiti ngarkohet me komision shtesë prej 1 apo 2 eurosh në muaj.

Së fundmi, bankat tërhoqën në filialet e veta edhe pagesat e ndihmës ekonomike të kryera nga buxheti i shtetit në ndihmë të mbi 100 mijë familjeve të varfra.

Disa banka ofruan një “çmim promocional” për këtë shtresë të shoqërisë shqiptare prej 50 lekë në muaj, ku përfshihej mirëmbajtja e llogarisë dhe një kartë bankomati.

Kjo e dyta, e dhënë për të shmangur radhët te sportelet e bankave, në fakt nuk i hyn shumë në punë pjesës më të varfër të shqiptarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)