Italia shqyrton rikthimin e pronësisë shtetërore nga e privatizimi
Romë, 29 gusht - Ministri italian i Infrastrukturës dhe Transportit, Danilo Toninelli, tha se vendi së shpejti do të vendosë nëse do të ndryshojë sistemin koncesionar infrastrukturor, duke rishikuar kushtet për rikthimin e pronësisë shtetërore nga e privatizimit që është momentalisht.
Toninelli i tha këto gjatë mbledhjes së komisioneve të përbashkëta parlamentare mbi Mjedisin dhe Punët Publike, në një seancë dëgjimore.
Fjalimi i Toninellit kishte të bënte me shëmbjen e urës "Morandi" në qytetin e Gjenovës më 14 gusht të këtij viti, ku humbën jetën 43 persona.
Ura-autostradë që lidhte dy autostrada të mëdha, njërën që shkonte në Paris e tjetrën në Milano, operohej nga kompania "Autostrade per l'Italia", e cila ka marrë në koncesion për të menaxhuar pjesën më të madhe të autostradave në Itali dhe është përgjegjëse për mirëmbajtjen e tyre.
Disa pjesë kryesore të urës së dëmtuar qendronin ende në këmbë dhe duhej të shembeshin për të ndërtuar një strukturë të re.
Presidenti i rajonit të Ligurias, ku bën pjesë Gjenova, Giovanni Toti, bëri thirrje që ura e rrënuar duhet "të shembet e të rindërtohet sa më parë që të jetë e mundur".