Itali, 30 mijë biznese janë krijuar nga shqiptarët
Romë, 6 mars - Raporti i fundit i Unioncamere bën të ditura se në fund të vitit 2012, në Itali janë regjistruar 477.519 ndërmarrje të drejtuara nga persona të lindur jashtë Italisë, me një rritje vjetore me 24.329 apo 5.8 për qind.
Ndër shtetet kryesore nga e kanë prejardhjen titullarët e ndërmarrjeve, konfirmohet i pari Maroku me 58.555 titullarë.
Në vend të dytë është Kina nga vijnë 42.703 emigrantë që kanë hapur ndërmarrje në Itali dhe në vend të tretë Shqipëria, me 30.475 titullarë ndërmarrjesh.
Edhe pse të tretët në renditje për numër ndërmarrjesh, rritja vjetore e ndërmarrjeve të shqiptarëve mbetet nën rritjen mesatare të të gjitha ndërmarrjeve të të huajve.
Në një vit ndërmarrjet e shqiptarëve janë shtuar me 549 njësi apo me 1.8 për qind. Edhe pse të pakta në numër, vetëm 920, janë ndërmarrjet e shtetasve kosovarë ato që kanë rritjen vjetore më të lartë në përqindje: +37,6 për qind.
Ndërsa në shifra absolute, rritjen vjetore më të lartë e kanë parë ndërmarrjet me titullarë nga Bangladeshi që janë shtuar me 3.180 njësi.
Kontributi i të huajve në shtimin e ndërmarrjeve private gjatë vitit 2012, sipas Unioncamere, ka qenë vendimtar për të ruajtur pozitiv bilancin anagrafik të të gjithë sistemit sipërmarrës italian (që gjatë vitit të shkuar është rritur me vetëm 18.911 njësi).
Nga pikëpamja e strukturës organizative, në pjesën dërrmuese (385.769 ndërmarrje, \'80,8 për qind të të gjithave) janë aktivitete sipërmarrësish emigrantë të ngritura me formën e sipërmarrjes individuale, më e thjeshta, ndërsa shoqëritë me kapital (46.239) përbëjnë vetëm 9,7 për qind.
Ndërmarrjet e të huajve janë të pranishme kryesisht në telekomunikacion (34,9 për qind të të gjithave kanë titullarin të huaj), në konfeksionimin e artikujve të veshmbathjes (24 për qind) në punimet e specializuara të ndërtimit (18,9 për qind).