Istogu aprovon Kornizën Afatmesme Buxhetore 2020-2022
Prishtinë, 28 qershor - Kryesuar nga kryesuesi i kuvendit Qaush Balaj është mbajtur mbledhja e 18 të e rregullt e legjislacionit të gjashtë të Kuvendit Komunal.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi shqyrtoi këto pika të rendit të ditës: shqyrtimi dhe miratimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2020-2022, shpallja në diskutim publik e plotësim– ndryshimit të rregullores komunale për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës për subjektet afariste në komunën e Istogut, shpallja në diskutim publik e projekt– rregullores për transparencë dhe Plani i Punës së Veprimit, shqyrtimi dhe miratimi i propozim vendimeve të kryetarit të komunës për këmbimin e pronave të paluajtshme të komunës më prona privat.
Elaborimin e Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitet 2020-2022 e bëri Zyrtari Kryesor Financiar (ZKF), Osman Sadikaj i cili i ka njoftuar anëtarët e kuvendit rreth draft kornizës duke ofruar detaje mbi grantet qeveritare, të hyrat vetanake komunale, si dhe projektet e planifikuara kapitale për periudhën 2020-2022. Korniza Afatmesme Buxhetore(KAB) që po prezantojmë është një dokument i cili miratohet në parim çdo vit nga Komiteti për Politikë dhe Financa(KPF) dhe Kuvendi Komunal(KK).
Komuna e Istogut vitin e kaluar ka pasur të përgatitur dokumentin e KAB-it Komunal ku do të përfshihen vlerësimet e hershme të të ardhurave buxhetore totale dhe shpenzimeve dhe paraqitjen e tyre sipas Programeve-Drejtorive, Nënprogrameve Buxhetore dhe Kategorive Ekonomike për tri vite.
Ky material siguron një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton parametrat dhe prioritetet kryesore për zhvillimin e vazhdueshëm të buxhetit vjetor.
Gjithashtu KAB siguron mekanizmat e nevojshme përmes të cilave objektivat prioritare të identifikuara në dokumentet strategjike të komunës, aty ku ekzistojnë, të integrohen sa më mirë në procesin buxhetor.
Hartimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore përbën një detyrim për institucionet buxhetore Komunale të kërkuar nga Qarkorja Buxhetore Komunale 2020/1të lëshuar nga Ministria e Financave.
Ky dokument do të jetë bazë për përcaktimin e sektorëve prioritarë të zhvillimit dhe identifikimin e prioriteteve të shpërndarjes së burimeve financiare komunale për periudhën 2020-2022, tha ndër të tjera Sadikaj.
Anëtarët e pranishëm në sallë po ashtu dhanë votën e tyre edhe pikat e tjera të rendit të ditës që ishin shpallja në diskutim publik e plotësim– ndryshimit të rregullores komunale për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës për subjektet afariste në komunën e Istogut, shpallja në diskutim publik e projekt– rregullores për transparencë dhe Plani i Punës së Veprimit, shqyrtimi dhe miratimi i propozim vendimeve të kryetarit të komunës për këmbimin e pronave të paluajtshme të komunës më prona privat.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan nga anëtarët e asamblesë që ishin të pranishëm.