Ismajli priti Ambasadorin italian z. Andreas Ferrarese
Prishtinë, 11 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli priti në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë Andreas Ferrarese, me të cilët ka diskutuar mundësinë e avancimit të bashkëpunimit ekonomik.
Me këtë rast, Ministri Ismajli pasi falënderoi diplomatin italian për ndihmën që ky vend i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Kosovës, e njoftoi atë me orientimet e MZHE-së për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në këtë takim u diskutua edhe për krijimin e një mekanizmi të përbashkët të tërheqjes së investimeve të huaja, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes diaogut të përbashkët Kosovë-Itali.
Ministri Ismajli ka vënë në dukje se ndër prioritetet e MZHE-së janë edhe ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike si parakusht për zhvillim ekonomik dhe ekonomizimin e resurseve energjetike të Kosovës si dhe rritjen e efiçiencës së energjisë dhe zhvillimin e burimeve të ripërtritshme dhe në sektorë të tjerë.
Nga ana e tij, Ambasadori Ferrarese ka ritheksuar vazhdimin e mbështetjes që Italia do ti japë Kosovës edhe në të ardhmen në arritjen e synimeve të saj në zhvillimin ekonomik, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin e mirë të deritashëm.
Në fund të dyja palët shprehen interesim për organizimin e një konference të përbashkët për tërheqje të investimeve në sektorët prioritar për Kosovën nga donatorë dhe biznese të ndryshme që do të ndihmonin ngritjen e performancës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.