Ismajli: Kosova vend i vogël por me mundësi të mëdha
Prishtinë, 10 prill - Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Republikës së Kosovës, Fadil Ismajli po udhëheq një delegacion i cili po merr pjesë në forumin dy ditor të vendeve të Evropës Lindore East Forum Berlin 2014, i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë dhe që ka objektiv krijimin e mundësive për një hapësirë ekonomike nga Lisbona deri në Vladivostok.
Në forum po marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit gjerman, në mesin e të cilëve edhe ministri i Jashtem i Gjermanisë, Frank Walter Steinmaier, zëvendës kryeministri i parë i Federatës Ruse, Igor Shuvalov, si dhe autoritete të larta në nivel ministrash dhe përfaqësuesish të tjerë nga shtetet si Turqia, Ukraina, Kroacia, Republika Çeke, Bosnja e Hercegovina, Rumania, Moldavia, etj.
E veçanta e këtij forumi lidhej me krizën e tanishme në mes Rusisë dhe Ukrainës, krizë kjo e cila predominoi edhe fjalimet e të pranishmeve. Të ndikuar nga kjo krize, u vërejt qartë në mesin e fjalëve të të gjithë investitorëve potencial, se i vetmi faktor shpëtues dhe përshpejtues i idesë se krijimit të hapësirës ekonomike nga Lisbona deri ne Vladivostok është vetëm dialogu.
Ministri Ismajli prezantoi të veçantat, e që njëherit janë edhe përparësitë e Kosovës ndaj vendeve tjera, e posaçërisht ato të rajonit. Përparësitë si popullata e re e arsimuar dhe aftësuar, sektori minerar, qoftë ai i thëngjillit apo mineraleve, agrikultura me një përqindje të konsiderueshme të tokës bujqësore që më tutje ofron edhe mundësinë e prodhimit të ushqimit organik, dhe po ashtu duke mos harruar edhe sektorin shumë premtues, atë të turizmit, gjegjësisht atij malor dhe skijimit.
Pavarësisht që investimet e huaja direkte në Kosovë nuk mungojnë, me këto përparësi dhe korniza ligjore dhe investive që ka Kosova ftojmë edhe të tjerët që ti bashkëngjiten kësaj nisme dhe grupi."
"Ne jemi një vend i vogël, por jemi një vend që ofron mundësi të mëdha. Ka kaluar koha emergjente, dhe tani e tutje nuk shikojmë drejt nga donacionet dhe grantet, por drejt nga një qasje të duhur dhe barabartë në fondeve globale, tha ai.
Ministri Ismajli theksoi mbështetjen e pa kursyer që Qeveria e Kosovës i ka dhënë dhe vazhdojë ti jep investitorëve seriozë.
Ndryshe në margjinat e këtij forumi, Ministri Ismajli ka zhvilluar edhe takime të ndara me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Republikës Çeke, Jan Mladek, Presidentin e EBRD-se, Suma Chakrabarti. Takimet do te vazhdojnë edhe ne ditët ne vijim.