Ish-punëtorët e fabrikës së tubave në protestë
Prishtinë, 17 dhjetor - Rreth 100 ish-punëtorë të fabrikës së tubave në Ferizaj kanë protestuar të hënën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës.
Ata kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensim të pagave për periudhën 1990-1999, kur ishin larguar nga puna në mënyrë të padrejtë dhe të dhunshme.
Ata, në mënyrë paqësore kanë protestuar te hyrja e qeverisë, duke mos penguar hyrje-daljet në këtë institucion. Punëtorët kërkuan që Gjykata Kushtetuese, po ashtu të nxjerrë edhe një vendim plotësues, me të cilën konstaton që vendimi i saj ende nuk është implementuar.
Protestuesit e quajnë këtë të padrejtë, duke pohuar se ata do ti vazhdojnë protestat edhe më tej, deri në kompensim të pagave të tyre. Ndryshe, ata paralajmërojnë radikalizim të protestave dhe greva.