15 Nëntor 2024

Ish-Punëtorët e Bankës të Shqetësuar nga Vonesat e Prokurorisë

Prishtinë, 20 mars - Ish-punëtorët e “ProCredit Bank”-ës kanë shprehur shqetësimin e tyre për vonesat në procedimin e 57 kallëzimeve penale të deponuara para një viti në Prokurorinë e Prishtinës kundër disa zyrtarëve të Bankës.

Ish-punëtorët e “ProCredit Bank”-ës shprehen të shqetësuar përballë vonesave në trajtimin e rastit të tyre tash kur po mbushet një vit që nga koha kur kanë deponuar kallëzime penale në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Në muajin mars të vitit të kaluar, 57 kallëzime penale ishin deponuar nga ish-punëtorë të kësaj banke, të cilët pretendojnë se ishin larguar nga puna në kundërshtim me ligjin.

Ekrem Jakupi, njëri prej tyre, shprehet se fakti që kallëzimet janë dorëzuar para afër një viti dhe ende nuk ka pasur ndonjë zhvillim përbën shqetësim për ta.

“Qëllimi i vizitës tonë (në Prokurori) ishte shqetësimi për vonesat e rastit të cilin e kemi deponuar qe afër një vit, prej marsit (të vitit të kaluar). Mirëpo, prokurorja na informoi se janë 54 lëndë te një prokurore, e cila e ka marrë lëndën kah fundi i tetorit dhe ka filluar hetimet dhe na ka thirrë një grup prej tetë personave në intervistë, mirëpo grupi tjetër ka mbetur”, ka thënë Jakupi për KALLXO.com pas “vizitës” në Prokurori të martën.

Jakupi tregoi se deri më tani janë intervistuar vetëm 8 nga grupi që kishin deponuar kallëzime penale për largimin e tyre nga puna.

Për ngecjen në procedimin e këtij rasti, kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, për KALLXO.com thotë se kjo lëndë nuk është lënë anash por janë ndërmarrë veprime dhe se lënda do të kryhet në kohën më të shkurtër të mundur.

“Prokuroria jonë qysh prej fillimit, prej marrjes së rastit të parë, ka treguar seriozitet në këtë lëndë dhe lënda është avancuar në hetime. Ne e kemi në procedurë. Janë ndërmarrë veprime, janë duke u marrë veprime, dhe për kohën se kur do të kryhet nuk mundem të paragjykoj e situatën, por ne ju premtojmë se në kohën më të shkurtër do të kryhen të gjitha gjërat që i takojnë kësaj lënde”, tha Beka.

57 ish-punëtorë të “ProCredit Bank”-ës në Kosovë në muajin mars 2015 kishin paraqitur kallëzimet e tyre penale, por lënda vetëm në muajin tetor të vitit që shkoi, pra rreth shtatë muaj pasi ishin dorëzuar kallëzimet, i ishte ndarë prokurores Habibe Statovci-Salihu.

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, këtë vonesë e arsyeton duke thënë se kishin një ristrukturim të brendshëm në Prokurori dhe kjo ka shkaktuar vonesë.

“Ne kemi pasë disa situata sistemore në prokurorinë tonë. Kemi bërë grupe të caktuara për lëndë të natyrës ekonomike dhe korrupsionit. Prandaj, kjo ka qenë arsyeja se pse ka qenë kjo fazë e ndërprerjes së punës në këtë rast”, tha Beka për KALLXO.com

Prokurorja të cilës i është ndarë në punë kjo lëndë, Habibe Statovci-Salihu, thotë se i kupton shqetësimet e parashtruesve të kallëzimit, por se ajo menjëherë sapo ka pranuar lëndën ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore.

“Unë këtë lëndë e kam pranuar më 29 tetor 2015 dhe menjëherë pasi e kam pranuar , në një afat shumë të shkurtër, kemi filluar me marrjen e hetimeve paraprake për grumbullimin e provave. Fillimisht i kam intervistuar disa nga të dëmtuarit në mesin e këtij grupi që sot kanë shprehur shqetësime, për në një afat shumë të shkurtër kohor janë intervistuar tetë persona dhe pasi që i kemi intervistuar këta persona prokuroria është duke e shqyrtuar këtë rast”, tha Statovci-Salihu.

Megjithatë, prokurorja thotë se në këtë rast ende nuk ka aktvendim për fillimin e hetimeve dhe se nuk e di se kur do të ketë një aktvendim të tillë apo për hedhje poshtë të kallëzimeve penale.

“Nuk kemi aktvendim për fillim të hetimeve sepse nuk kemi të dhënat e pandehurve. Kemi vetëm emrin e mbiemrin e tyre dhe nuk e dimë kur kanë lindur, siç e parasheh kodi për të dhënat, për fillimin e një hetimi. Dhe posa t’i sigurojmë këto të dhëna do të kemi aktvendim për fillimin e hetimeve”, tha Statovci-Salihu

Prokurorja thekson po ashtu se deri më tani asnjëri nga personat e dyshuar nuk është intervistuar.

Për me tepër, edhe kryeprokurori Beka nuk jep ndonjë informacion lidhur me veprimet hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, por tregon se vepra për të cilën dyshohet është keqpërdorimi i detyrës zyrtare.

“Nuk e di numrin e saktë të personave, dy, tre, pesë dhe nuk mundem me fol më shumë në këtë fazë të hetimeve dhe këtu nëse eventualisht ka elemente të veprës penale. Lënda ka të bëjë me disa zyrtarë të bankës të cilët kanë mundësuar që banka apo personi i tretë të jetë përfitues në këtë rast. Ne këtu kemi pasë edhe shumë elemente të veprave të tjera, civile, administrative, të marrëdhënies së punës, mirëpo ne jemi duke hetuar vetëm elementet penale nëse ka, konkretisht sa i përket shpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarët e “ProCredit Bank”-ës”, tha Beka.

Se vepra që po hetohet është keqpërdorim i detyrës zyrtare e konfirmon edhe prokurorja Statovci-Salihu, por thotë se në këtë rast duhet pasur parasysh edhe vëllimin e kësaj lënde, dhe se është e nevojshme më shumë kohë për të punuar në të.

“Duhet ta kemi parasysh që se në këtë rast kemi të bëjmë me 57 kallëzime penale, që do të thotë se janë 57 lëndë, por që janë të bashkuara sikur të ishin një dhe për këtë arsye për këtë lëndë duhet të punojmë pak ma gjatë se lëndët tjera, sepse çdonjëri i dëmtuar ka paraqitur kallëzimin penal, mirëpo kallëzimi penal nuk ka të bëjë të gjitha herët me personin e njëjtë”, shtoi ajo.

Deri më tani lidhur me këtë lëndë janë intervistuar vetëm 8 nga parashtruesit e kallëzimit penal, ndërsa asnjëri nga të dyshuarit. Prokurorja Statovci-Salihu këtë e arsyeton me faktin se edhe një vit pas paraqitjes së kallëzimit penal ende nuk janë identifikuar të dyshuarit.

KALLXO.com përmes postës elektronike ka kërkuar edhe qëndrimin e “ProCredit Bank”-ës lidhur me kallëzimet penale të ish-punëtorëve të kësaj banke, por nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Albana Morina, njëra nga parashtrueset e kallëzimit penal është aktualisht e përfshirë edhe në një gjykim tjetër, në procedurë civile ku është palë paditëse ndaj “ProCredit Bank”-ës lidhur me kallëzimin penal.

Gjithashtu, edhe Diturie Hoxha është në gjykim, si palë paditëse ndaj “ProCredit Bank”-ës në procedurë civile të iniciuar sipas padisë, ndërsa kallëzimi i saj penal i deponuar ndaj zyrtarëve të kësaj banke në vitin 2012 është hedhur poshtë në janar të këtij viti, pas afër katër viteve.

Emisioni “Jeta në Kosovë” në shkurt të vitit të kaluar kishte  bërë një hulumtim lidhur me largimet nga puna të mbi 50 punëtorëve të “ProCredit Bank”-ës.

Po ashtu, KALLXO.com ka përcjellë vazhdimisht seancat ku palë e paditur ka qenë e njëjta bankë, e paditës ish-punëtorët e larguar nga puna.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)