16 Janar 2025

Isa Krasniqi “privatizon” Agjencinë e Statistikave

Prishtinë, 17 mars - Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Isa Krasniqi, e ka shndërruar këtë institucion shtetëror në “pronë private” të tij.

Largimi i zyrtarëve nga puna, ndryshimi i pozitave dhe detyrave të punës të zyrtarëve të tjerë pa vullnetin e tyre dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, si dhe punësimet e personave të afërm me të, pa shpallur fare konkurse publike, janë vetëm disa nga veprimet e Krasniqit.

Gjatë një hulumtimi që ka bërë gazeta “Zëri”, ku janë intervistuar dhe konsultuar dhjetëra zyrtarë të këtij institucioni, është mësuar se prej se ka ardhur në pozitën e kryeshefit (tash drejtor i përgjithshëm) të ASK-së, në Agjencinë e Statistikave të Kosovës kanë ndodhur dhjetëra shkelje ligjore, dhe gjithashtu ka ndryshuar tërësisht disponimi i të punësuarve.

Ndërkaq, pothuajse të gjithë të intervistuarit kanë pranuar të japin informacione këtë e kanë bërë me kusht që në asnjë formë të mos iu dalë emri në gazetë, ngase, sipas tyre, denoncimi i asaj që po ndodh në ASK nënkupton largim të menjëhershëm nga puna.

Njëri nga të punëtorët e këtij institucioni, që ka folur në kushte anonimiteti, ka treguar se janë tri zyrtare që janë dëmtuar rëndë nga “teket” e drejtorit Isa Krasniqi, i cili për të sjellë njerëz të tij në këtë institucion paraprakisht ka bërë “riorganizim”, duke larguar persona të caktuar nga pozita të caktuara.

“Fillimisht drejtori, duke u thirrur në riorganizim të institucionit e ka bërë një organogram të ri, të cilin ia ka miratuar Qeveria. Më pas ka bërë lëvizje të pozitave të zyrtarëve në kundërshtim me Rregulloren për Transferimin e Nëpunësve Civilë, e cila e precizon që transferimi i zyrtarëve nuk mund të bëhet nëse me këtë dëmtohet karriera e zyrtarit ose dëmtohet zyrtari në të ardhura”, thotë ky i punësuar në ASK.

“Transferimi në një vend tjetër të punës duhet të jetë i përshtatshëm për nëpunësin civil, kushtet dhe beneficionet e vendit të punës të mos jenë më të disfavorshme se ato që i ka pasur në vendin paraprak të punës, dhe të mos ndikojnë negativisht në zhvillimin e karrierës së tij”, thuhet në pikën 4 të nenit 5 të Rregulloren për Transferimin e Nëpunësve Civilë.

Gazeta ka mësuar se muaj më parë drejtori Krasniqi ka larguar nga puna, tashmë ish-zëdhënësin Skënder Limani, vetëm pse ai e ka kundërshtuar drejtorin në shkeljen e ligjit, dhe gjithashtu ua ka ndërruar pozitat tre zyrtarëve, Safete Selmani, Flutura Shusholli dhe Besim Mehmeti, në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Drejtori ia ka ndryshuar vendin e punës zëdhënëses Safete Selmani. Ajo ka punuar shtatë vjet në medie dhe pesë vjet si zëdhënëse e ASK-së, e në fund është transferuar në Departamentin për Statistika Sociale”, ka bërë të ditur burimi i gazetës brenda Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Fat më të mirë nuk ka pasur as zyrtarja tjetër, Flutura Shusholli, e cila ka qenë shefe e koordinimit, e cila gjithashtu është transferuar në Departamentin e Statistikave Sociale.

“Zyrtarja Shusholli është ekonomiste e diplomuar. Ajo është trajnuar për koordinim dhe ka punuar shtatë vjet. Tani iu ka ndërruar pozita dhe normalisht që nuk është përgatitur që të punojë në një departament tjetër”, ka bërë të ditur burimi.

Ndërkaq, Besim Mehmeti, i cili ka punuar koordinator për marrëdhënie me jashtë është transferuar te statistikat ekonomike. Gazeta ka mësuar se Mehmeti ka punuar pesë vjet në ish-vendin e punës, është ekonomist i diplomuar, dhe në veçanti është trajnuar gjashtë muaj në Rumani, për të punuar si koordinator, pozitë kjo që tashmë nuk e ushtron.

Por, për të gjitha pozitat e “liruara” në ASK, drejtori Isa Krasniqi ka sjellë të preferuarit e tij, duke punësuar persona që më parë nuk kanë punuar asnjë ditë të vetme në Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

“Hazbije Qeriqin e ka sjellë si zyrtare për informim për projektin e regjistrimit të popullsisë, e tash e ka bërë prapë zyrtare për informim, por për projektin e regjistrimit. Është interesante se në ASK nuk kemi zëdhënëse, sepse aty ka qenë Safete Selmani, por prej se e ka larguar atë e ka ngrirë pozitën e zëdhënëses, po ia ruan Qeriqit, e projekti i regjistrimit nuk përfundon edhe dy vjet, që do të thotë se ASK-ja nuk do të ketë zëdhënës edhe dy vjet. Madje, Qeriqi nuk ka kontratë me ASK-në, por me projektin e regjistrimit”, thotë burimi.

Para se të bëhet drejtor i ASK-së, Isa Krasniqi, ka punuar në Departamentin e Teknologjisë Informative në Ministrinë e Administratës Publike. Nga ish-vendi i tij i punës ai ka transferuar edhe ish-asistenten personale, Teuta Zyberaj, gjë të cilën e ka bërë në bashkëpunim me zyrtarët e Ministrisë së Administratës Publike.

“Ajo ka ardhur në pozitën e arkivistes, ndërsa detyrat po i bën të koordinatores për marrëdhënie me jashtë. Kjo është joligjore, por po flitet që së shpejti do të hapet konkursi i brendshëm. Për këtë arsye drejtori e ka larguar ish-zyrtarin Besim Mehmeti”, tregon njëri nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Gazeta ka mësuar gjithashtu se edhe zyrtarja Arta Salihu ka përfituar falë miqësisë me drejtorin Krasniqi. Deri së voni ajo ka qenë zyrtare në Departamentin e Statistikave, ndërsa tash është koordinatore e brendshme.

Për t’i bërë ndryshimet në këtë institucion, Krasniqi paraprakisht ka krijuar komision për riorganizim, i cili përbëhet nga tre drejtorët, Ramiz Ulaj, Ibrahim Rrustemi, dhe Bashkim Bellaqa. Njëri nga këta drejtorë, i ka thënë “Zërit” në kushte anonimiteti se pothuajse të gjitha vendimet e tyre hedhen poshtë nga drejtori, i cili në fund vendosë vetë për lëvizjet e zyrtarëve brenda ASK-së.

Drejtori i përgjithshëm i ASK-së, Isa Krasniqi, e pranon se janë bërë ndryshime në institucionin që e drejton, por kjo sipas tij, është bërë duke u mbështetur në rregulloren e re për riorganizim.

“Është rregullorja e aprovuar nga qeveria për të gjitha pozitat. Nuk janë këto lëvizje që janë bërë prej dikujt, ka rregullore me të cilën është bërë një riorganizim në bashkëpunim edhe me ekspertë ndërkombëtarë”, ka thënë ai nëpërmjet telefonit.

I pyetur se si ka mundësi që një zyrtar që ka punuar shtatë vjet në një departament dhe ka përgatitje profesionale për punë të caktuar t’i ndërrohet pozita, ai ka thënë se “për këtë çështje duhet të pyetet Ministria e Administratës Publike”.

Krasniqi e pranon se e ka transferuar ish-asistenten e tij, Teuta Zyberaj, nga Ministria e Administratës Publike në ASK, por siç thotë ai, këtë e ka bërë duke u bazuar në Rregulloren për Transferimin e Nëpunësve Civilë, ngase, asistentja paraprake në ASK është pensionuar. Ai thotë se ish-zëdhënëses Safete Selmani ia ka ndërruar vendin e punës ngase ajo “nuk ka kapacitetet që i kërkon përshkrimi i vendit të punës”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)