Irlanda del nga plani i shpëtimit financiar
Dublin, 16 dhjetor - Kryeministri i Irlandës Enda Kennz përgëzoi bashkëqytetarët për sakrificat e bëra gjatë 3 viteve të planit të shpëtimit, duke theksuar se programi prej 85 miliardë eurosh \"ka prekur çdo familje\" në vend.
\"Ka qenë e vështirë pasi janë rritur shumë taksa dhe janë ulur pagat. Shumë familje janë përballur me pasojat e rënda të papunësisë dhe emigracionit\", tha kryeministri irlandez në një fjalim televiziv drejtuar kombit.
Këtë të dielë Irlanda përfundoi planin e shpëtimit, që shërbeu si pikë referimi për zgjidhjen e krizës së borxhit në zonën euro. Irlanda ishte vendi i parë që zbatoi këtë plan dhe zyrtarisht doli nga programi ndërkombëtar i shpëtimit financiar.
Gjatë fjalimit kryeministri Kenny u zotua se qeveria e tij do të vazhdojë zbatimin e politikave të matura buxhetore për të krijuar më shumë vende pune.
Ai bëri të ditur se këtë javë qeveria irlandeze do të paraqesë një plan të ri afatmesëm ekonomik për vendin. Sipas kreut te ekzekutivit, plani i ri do të përcaktojë hapat që do të hidhen për zhvillimin ekonomik të vendit deri në vitin 2020. Ky plan do të bazohet në sipërmarrje dhe jo në spekullime, tha kryeministri.