Investitorët gjerman interesohen për investime në Kaçanik
Kaçanik, 19 djetor - Dy kompanitë gjermane, Mataks me seli në Shtutgard që përfaqësohej nga menaxheri Karl Heinz E. Matt dhe kompania BEO GmbH me seli në Endingen, e cila përfaqësohej nga Clemens Sexauer, menaxher dhe Roman Bertram, ekspert souftverik janë interesuar për hapjen e biznesit të tyre në komunën e Kaçanikut.
Kryetari i Komunës, Besim Ilazi e ka mirëpritur idenë për hapjen e biznesit ndërsa u ka propozuar zonën industriale në Kaçanik të Vjetër, si hapësira të mundshme për ndërtimin e objektit biznesor.
Kryetari është shprehur i gatshëm se do të bëjë gjithçka që është e mundur për tua lehtësuar kushtet investitorëve, ndërsa i ka njoftuar investitorët se taksa komunale është zero.
Ndërkaq, menaxheri i kompanisë Mataks, E.Matt ka thënë se ideja jonë është hapja e një firme në Kosovë për zhvillimin e programeve souftverike që nënkupton dizajnimin, menaxhimin, administrimin dhe bazat e të dhënave kryesisht në Microsoft, për nevoja të doganave, shpedicioneve etj.
Ai ka thënë se kompania e tij, përveç në Gjermani, është e shtrirë në shumë shtete të botës, ndërsa është në partneritet edhe me kompaninë BEO GmbH me të cilën duan të bashkëpunojnë edhe këtu.
E.Matt shtoi se përveç investimeve në programet souftverike planifikohet që të investojnë edhe kompani tjera duke krijuar një zonë me aktivitete të përafërta ekonomike në sipërfaqen ekzistuese prej 5 hektarësh.