29 Dhjetor 2024

Investitorët arab, s'kanë njohuri për mundësitë që ju ofron Kosova

Prishtinë, 18 maj - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Islamik Botëror në kryeqytetin Kuala Lumpur të Malajzisë, në të cilin forum po marrin pjesë liderë dhe përfaqësues të tjerë të 62 vendeve të botës.

Sot, Presidenti Sejdiu u takua me Tun Musa Hitam, kryetar i Forumit Ekonomik Islamik Botëror, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit të Kosovës me vendet anëtare të këtij forumi.

“Ne u jemi shumë falënderues për ftesën që na keni bërë dhe mundësinë që na keni dhënë që t’i drejtohemi një forumi kaq të rëndësishëm siç është WIEF-i”, tha Presidenti Sejdiu në fillim të këtij takimi, duke e vlerësuar po ashtu angazhimin e shumë vendeve të këtij forumi për Kosovën dhe ndihmën e tyre të gjithanshme dhënë vendit tonë. 

Presidenti Sejdiu i ftoi përfaqësuesit e biznesit nga këto vende të investojnë në Kosovë, ku u garantohen lehtësi të shumanshme legjislative dhe siguri e plotë e investimeve të tyre.

“Kosova, sikur edhe  gjithë rajoni ynë, paraqet një hapësirë tërheqëse për investitorët tuaj të fuqishëm në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe të bizneseve”, tha Presidenti Sejdiu.

Ndërsa, Kryetari i Forumit Islamik Ekonomik Botëror (WIEF) theksoi se investitorët nga kjo pjesë e botës, e cila ka një progres të vazhdueshëm në zhvillimin ekonomik, nuk kanë shumë njohuri për mundësitë që ju ofron Republika e Kosovës, prandaj është  e nevojshme të punohet sa më shpejt për vënien e kontakteve të ndërsjella në mes bizneseve, në mënyrë që të shenjohen fushat konkrete, në të cilat investitorët malajzianë dhe të vendeve të tjera mund të investojnë në Kosovë.

Më pastaj, kryetari i WIEF-it me bashkëpunëtorët e tij shtroi drekë pune për Presidentin Sejdiu, në të cilën atyre iu ofruan informacione të  shumta për zhvillimet në Kosovë dhe për mundësitë  që vendi ynë u ofron investitorëve të jashtëm.

Presidenti Sejdiu do të ketë një adresim të veçantë në  hapjen solemne të këtij forumi, si dhe do të takohet me presidentë dhe udhëheqës të tjerë të vendeve pjesëmarrëse në këtë forum. Nesër Presidenti Sejdiu do të ketë një takim të veçantë me Kryeministrin e Malajzisë, z. Dato’ Sri Najib Tun Abdul Razak.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)