Investimet për fëmijët përcaktojnë të ardhmen e Kosovës
Prishtinë, 20 nëntor - Sot është 25 vjetori i Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve. Para 25 viteve me 20 nëntor të vitit 1989 në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u miratua Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, e cila hyri në fuqi më 1990.
Miratimi i kësaj Konvente vulosi faktin se fëmijët nuk janë vetëm subjekte të mbrojtjes, por, gjithashtu, mbajtës të të drejtave civile dhe politike. E kjo e shpjegon edhe atë se pse shënohet kjo datë anembanë botës madje edhe në vendet të cilat nuk janë anëtare të Kombeve të Bashkuara si Kosova.
Kjo Konventë proklamon të drejtat e fëmijëve pa dallim. Por sa realisht po investon Kosova në fëmijët e saj?
Nisur nga të dhënat në Kosovë, del se nuk ka investim të mjaftueshëm tek fëmijët. Derisa të dhënat e fundit, të cilat institucionet e Kosovës kanë në dispozicion flasin për një shkallë të varfërisë së fëmijëve 32.8 për qind në krahasim me 29.7 për qind sa është për popullsinë e përgjithshme.
Mesatarisht çdo vit 6000 7000 fëmijë mbesin jashtë edukimit parafillor, përkatësisht ky numër përbën 30% të numrit të përgjithshëm të fëmijëve të moshës parafillore. Shifrat e raportuara flasin për numër të lartë të braktisjes së shkollimit. Të dhënat e fundit nga viti 2013 kishin këtë
pasqyrë: gjithsej 1,113 fëmijë kanë braktisur shkollën fillore dhe atë të mesme të ulët (kl.1-9), përderisa 2,407 fëmijë kanë lënë shkollën në arsimin e mesëm të lartë (kl.10-12).
Sektorit të Shëndetësisë vazhdon të mos konsiderohet prioritet me burime të pamjaftueshme financiare të cilat rezultojnë të jenë më të ulta në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve konsiderohet të arrijnë vlerën nga 40-60%, ku nga ky proces më të dëmtuarit janë qytetarët e varfër si dhe grupet tjera më të rrezikuara, përfshirë fëmijët. Numri i përgjithshëm i fëmijëve pa përkujdesje prindërore përgjatë vitit 2013 ishte 1,285. Përfshirja e fëmijëve në punë të rënda dhe të rrezikshme vazhdon të jetë e pranishme pa njohjen e numrit të saktë të fëmijëve.
Mbi 90 raste të abuzimeve seksuale ndaj të miturve janë raportuar për vitin 2013 në Polici derisa mbi 30 vetëm për periudhën janar nëntor 2014.
E në anën tjetër, Republika e Kosovës njihet si një ndër vendet e rajonit me popullsinë më të re ne moshë ku afër 34 për qind e popullatës së Kosovës numërohet të jetë e përbërë nga fëmijët.
Në mënyrë që të investohet për krijimin e një shoqërie të qëndrueshme demokratike e cila prosperon drejt integrimeve europiane, për zhdukjen e varfërisë së skajshme, hapjes së tregut të Kosovës përmes ideve të reja inovative si dhe zgjerimit të kapaciteteve vendore përmes investimit në të rinjtë me perspektivë të zhvillimit të vendit, KOMF kërkon nga institucionet publike që:
· Të hartojnë politika për avancimin e mëtutjeshëm të kuadrit ligjor, për të përmirësuar pozitën e të gjithë fëmijëve;
· Të parashihet rritja e buxhetit të vitit 2015, në fushat të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e fëmijëve përfshirë investimet në fushën e arsimit, shëndetësisë, rritjen e buxhetit për skemat dhe transferet sociale për fëmijët në nevojë, krijimin e grantit specifik për shërbimet sociale në kuadër të komunave;
· Të fuqizohen mekanizmat institucional për realizimin e të drejtave dhe mbrojtjen e fëmijëve si dhe njëkohësisht të fuqizohen mekanizmat për ndëshkimin e atyre që shkelin të drejtat e fëmijëve;
· Të parashihen politika dhe të investohet në sigurimin e shërbime cilësore shëndetësore, përfshirë sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit të posaçëm për fëmijët me sëmundje të rënda e që kërkojnë trajtim adekuat jashtë shtetit;
· Të investohet në rritjen e cilësisë së arsimit dhe të sigurohet zbatimi efikas dhe efektiv i të gjitha ligjeve dhe akteve tjera nënligjore, që rregullojnë gjithpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla;
· Fokus i veçantë duhet t i kushtohet mbrojtjes më të madhe sociale për të gjithë fëmijët në nevojë për mbrojtje institucionale, përfshirë fëmijët e braktisur dhe fëmijët pa përkujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në varfëri, fëmijët e keqtrajtuar dhe të lënë pas dore, fëmijët viktima të shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda etj.
Si përfundim duam të theksojmë se KOMF është i përkushtuar që të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen e fëmijëve si pjesë e objektivit për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve,për të ndihmuar dhe përmbushur nevojat e tyre bazë dhe për të zgjeruar mundësitë e tyre për të arritur potencialin e plotë.