Investimet nga diaspora të rëndësishme për zhvillimin ekonomik
Prishtinë, 8 tetor - Edhe sot ministri i Diasporës, Valon Murati, vizitoi tri kompani, investime këto mjaft të suksesshme nga diaspora.
Gjatë vizitës në kompanitë KosovaTex, fabrikë për prodhimin e pantallonave (Prishtinë), MeCatyp-KS, fabrika për prodhimin e pjesëve mekanike për fusha të ndryshme, KEMA PACK, fabrikë për prodhimin e paketave, të llojeve të ndryshme, dhe Eurofol (Ferizaj), fabrikë riciklimi, ministri u njoftua për procesin e punës, për numrin e punëtorëve, për mjetet me të cilat punohet.
Të gjitha këto kompani, me shumë sukses, prodhimet e tyre i plasojnë në tregun evropian.
Mirëpo, përveç sukseseve, pothuajse të gjithë drejtuesit e këtyre kompanive ballafaqohen edhe me pengesa e probleme të ndryshme gjatë punës së tyre.
Ministri Murati, duke i njoftuar për krijimin e një grupi të punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora, në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, tha se tash e tutje për të gjitha shqetësimet e problemet, por edhe për propozime e ide mund ti drejtohen këtij grupi.
Grupi i punës, përveç tërheqjes së investimeve nga diaspora, do të merret edhe me shqyrtimin dhe trajtimin e problemeve në dikastere të caktuara. Nëpërmjet këtij mekanizmi të krijuar synojmë të jemi zëri juaj, të jemi afër jush, tha ndër të tjera ministri Murati.
Qëllimi i këtyre vizitave ishte që këta investues nga diaspora ta ndiejnë mbështetjen institucionale, si dhe të njohja për së afërmi me sukseset dhe proceset nëpër të cilat këto kompani kalojnë.