16 Janar 2025

Investimet kapitale prishin balancat e buxhetit për Komunat

Prishtinë 15 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur tryezë të rrumbullakët lidhur me zbatimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal me temën “Financat e pushtetit lokal – shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal”.

Të pranishëm në këtë takim ishin, përfaqësues nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria, komunat, OJQ-të dhe subjektet politike. Pjesëmarrësit në këtë takim kanë ngritur shumë çështje të cilat lidhen me financimin e komunave në Kosovë, me theks të veçantë shpërndarjen e investimeve kapitale nga niveli qendror në komunat e Kosovës.

Safete Hadërgjonaj Kryetare e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, ka thënë se edhe Komisioni që ajo drejton ka monitoruar zbatueshmërinë  e këtij Ligji, dhe sipas vlerësimeve që kanë bërë, vetëm një nenë është i pa zbatueshëm, e që ka të bëjë me hyrjen në borxhe dhe hua të komunave.

Ajo ka vlerësuar raportin që ka përgatitur KDI, mirëpo ka tërhequr vërejtjen se në këtë dokument është shqyrtuar një problematikë më e gjerë, sesa vetëm zbatimi i Ligjit përkatës. Sipas Hadergjonajt disa çështje të cilat përmenden lidhur me klientelizmin politik duken të ekzagjeruara në këtë raport.

Zëvendës Ministri i Financave Ramadan Avdiu, ndërkaq ka njoftuar se Ministria që ai drejton aktualisht konsideron se ky Ligj duhet ndryshuar, duke u pajtuar me konkluzionin e raportit të KDI-së. Ai ka kritikuar komunat për realizim të pa mjaftueshëm të të hyrave vetanake. 

Zv.Ministri ka paralajmëruar se granti i përgjithshëm mund të zvogëlohet për të mundësuar investime kapitale të cilat kanë efekte zhvillimore nëpër komuna. Po ashtu ai ka njoftuar se duke  filluar nga viti i ardhshëm do të fillojnë të merren për bazë të dhënat e dalura nga regjistrimi i popullsisë e që kjo edhe pritet të ngrit pakënaqësi të komunave lidhur me formulën e granteve.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherit anëtare e grupit të ekspertëve nga LDK, Hykmete Bajrami, ka vlerësuar raportin e KDI-së duke konstatuar se të gjeturat janë të qëndrueshme dhe reflektojnë gjendjen reale në ndarjen e buxhetit për komuna.

Ajo ka prezantuar edhe të dhëna të cilat grupi i ekspertëve të LDK-së ka nxjerr duke ardhur në përfundimin se ka diskriminime mbi baza politike në fushën e investimet kapitale në komunat e Kosovës. Deputetja Bajrami, po ashtu ka konstatuar se rritja e Tatimit në Pronë, nuk do të mbuloj boshllëkun e krijuar nga eliminimi i disa taksave për komunat.

Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka deklaruar se në Kosovë 7 % e të  hyrave të shtetit mblidhen nga komunat, e që krahasuar me shtetet e rajonit vetëm Sllovenia ka bilanc më të mirë.

Ai është pajtuar me të gjitha të gjeturat e raportit dhe madje ka kërkuar që të shtohen edhe një numër i konkluzioneve në këtë raport. Sa i përket rregullsisë  së shpenzimeve financiare Ibrahimi ka thënë se komunat kanë progres të vazhdueshëm dhe nga viti në vit vërehet shumë progres.

Për sa i përket mbledhjes së të hyrave, komunat kanë mbledhur 10% më shumë se vitin e kaluar, që e bënë shumë më pozitiv bilancin krahasuar me administratën qendrorë.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë tryezë  kanë vlerësuar se Ligji aktual për Financat e Pushtetit Lokal, duhet ndryshuar për t’u përshtatur me numrin e madh të kompetencave dhe përgjegjësitë që kanë komunat në raport me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili u ka dhënë mision shumë të gjerë komunave dhe pushtetit lokal në Kosovë.

Sipas diskutuesve në këtë tryezë delegimi i kompetencave për komunat nga niveli qendror duhet përcjell me ndarjen e fondeve, pasi qeveria mbanë aktualisht buxhetin për vetë ndërsa përgjegjësitë i bartë në komunat e Kosovës.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)