Investimet e huaja shënojn rënie, papunësia rritet
Prishtinë, 30 nëntor - Në nëntor 2016, u lansua Agjenda Evropiane e Reformave (ERA) nga Kryeministri i Kosovës, dhe Komisioneri për politikat e fqinjësisë evropiane dhe negociatave për Zgjerim i BE-së.
Qëllimi i Agjendës Evropiane të Reformave është që të përzgjidhen prioritetet kyçe të MSA-së me qëllim të avancimit të perspektives Evropiane të Kosovës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Në nëntor 2016, ishin identifikuar gjithsej 22 prioritet që është dashur të përmbushen deri në fund të vitit 2017. Prioritetet ishin bazuar në 3 shtylla kyçe: (1) sundimi i ligjit, qeverisja e mirë (2) konkurrueshmëria, mjedisi biznesor, si dhe (3) arsimi dhe punësimi.
Sot në dy-vjetorin e lansimit të ERA-s, Instituti EPIK konfirmon se përkundër vonesës prej një viti, institucionet nuk kanë arritur të zbatojnë pjesën dërrmuese të prioriteteve që dalin nga Agjenda Evropiane e Reformave.
Sipas vlerësimit të Institutit EPIK, nga gjithsej 22 prioritete, vetëm 4 prioritete janë përmbushur plotësisht. Ndërsa, në të gjitha 18 prioritete të tjera ka pasur progres, mirëpo asnjë nga to nuk është përmbushur në tërësi.
Katër prioritetet e përmbushura plotësisht janë: (1) Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit; (2) Lansimi i prokurimit elektronik; (3) Zbatimi i Strategjisë dhe Planit Veprimit për luftimin e ekonomisë joformale; dhe (4) Përmirësimi i prodhimit të statistikave zyrtare, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Përkundër miratimit të Kodit Penal, institucionet nuk kanë arritur të miratojnë edhe Kodin e Procedurës Penale për të siguruar pezullimin/largimin e zyrtarëve publik të akuzuar/dënuar për korrupsion. Institucionet nuk kanë marr masa për të siguruar transparencën e financimit të partive politike.
Po ashtu, Instituti EPIK konsideron se ka vazhduar politizimi në emërimet e larta në institucionet publike, duke përfshirë institucionet e pavarura, bordet e ndërmarrjeve publike dhe agjencitë rregullatorë. Institucionet nuk kanë treguar vullnet që të ndërmarrin një reformë gjithëpërfshirëse të administratës publike.
Sa i përket rritjes së numrit të gjyqtarëve në Departamentin Administrativ dhe Departamentin Ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me qëllim të reduktimit të rasteve të grumbulluara në çështjet administrative dhe ekonomike, gjatë vitit 2017 Gjykata Themelore në Prishtinë ka zgjidhur më pak raste se sa ka pranuar në punë.
Departamenti administrativ dhe ekonomik ka shënuar trend negativ në zgjedhjen e lëndëve krahasuar më vitin 2016. Gjatë vitit 2018, janë rekrutuar gjyqtarë shtesë në Departamentin Administrativ dhe Departamentin Ekonomik. Efekti i rritjes së numrit të gjyqtarëve mbetet të vlerësohet në vitin 2019.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkundër rritjes së numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale dhe rritjes së numrit të rasteve të shënjestruara, institucionet nuk kanë arritur të përfundojnë më sukses asnjë rast të profilit të lartë të korrupsionit.
Në rrafshin ekonomik sipas Instituti EPIK, Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar rënie nga 4.7% në 2015, në 3.9% në 2017. Ndërsa, në vlerësimin 2019 të Bankës Botërore për të Bërit Biznes, Kosova ka shënuar regres nga vendi 40 në vendin 44.
Instituti EPIK thekson po ashtu se institucionet kanë shënuar regres edhe në pothuaj të gjithë indikatorë të papunësisë. Papunësia e përgjithshme është rrit për 3%, nga 27.5% në vitin 2016 në30.5% në 2017. Papunësia e të rinjve është rrit për 0.3%, nga 52.4% në 2016, në 52.7% në 2017. Ndërsa, papunësia e grave ka mbet e pandryshuar në 36.6%.
"Në përmbyllje, vlerësojmë së viti 2018 është një vit tjetër i radhës i humbur në procesin integrues. Prandaj, Instituti EPIK fton gjithë spektrin politik për arritjen e konsensusit politik për ndërmarrjen e reformave të thella në kuadër të agjendës Evropiane."
"Institucionet duhet të zhvillojnë një dialog të hapur dhe konstruktiv me Bashkimin Evropian me qëllim të dakordimit të agjendës reformuese për vitin 2019 me qëllim të intensifikimit të zbatimit të reformave para nesh - të matshme dhe me efekt të prekshëm në jetën e qytetarëve. Vetëm një qasje e tillë, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilzim Asocimi, do të avancon perspektiven Evropiane të Kosovës, drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE", thekson Epik.
Për më tepër bashkëngjitur gjeni dy infografika shpjeguese rreth nivelit të zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformave.