Investimet do ti kontribuonin një ekonomie më aktive në Kosovë
Prishtinë, 26 korrik - Me qëllim të diskutimit mbi sfidat e identifikuara si vendimtare për të tërhequr investimet e huaja direkte, përpjekjet e mëtutjeshme të nevojshme për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe çështjet e tjera të investitorëve dhe prodhuesve vendor, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka dhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu mbajtën një konferencë për shtyp.
Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka theksoi çështjet mbi ambientin e të bërit biznes që ai konsideron se janë vendimtare për shkallën në të cilën investimet do ti kontribuonin një ekonomie më aktive dhe më dinamike në Kosovë, duke nënvizuar se zgjerimi i listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, aprovimi i pushimeve tatimore për investimet e reja, the miratimi i Ligjit për Investime Strategjike do ta vinin Kosovën në një pozitë më të favorshme, në raport me shtetet e rajonit.
Ai argumentoi se ky ligj është bërë pengesë për një kompani Amerikane, e cila ka hezituar të fillojë biznesin e saj në Kosovë, derisa Ligji për Investime Strategjike të implementohet tërësisht.
Kërkesat për të zgjeruar listen e produkteve me lëndët e papërpunuara, të përdorura në proceset e prodhimit, të liruara nga detyrimet doganore, Zeka i konsideroi si vendimtare në rritjen e konkurrueshmërisë brenda kompanive prodhuese në Kosovë.
Poashtu, ai theksoi se duke aprovuar pushimet tatimore për investimet e huaja, të rregulluara me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, kompanitë do të mund të operonin në mënyrë më efektive.
Sa i përket investimeve direkte të huaja, ai argumentoi se Kosova nuk është shumë gjeneroze në kuptim të ofrimit të lehtësirave të të bërit biznes për investitorët e huaj, duke e konsideruar si arsyen thelbësore se pse shtetet rajonale kanë fluks më të madh të investimeve të huaja direkte, në krahasim me Kosovën.
Përveç rekomandimeve që nxisin rritjen ekonomike në Kosovë, Zeka u bëri thirrje institucioneve që të rrisin angazhimin e tyre për të aprovuar ligjet e nevojshme dhe të përmirësojë kështu ambientin e të bërit biznes në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safer Gërxhaliu theksoi nevojën që institucionet publike të marrin vendime prej të cilave do të përfitonin kompanitë vendore dhe të huaja, duke e konsideruar kështu si një pengesë për komunitetin e biznesit dhe stabilitetin ekonomik.
Ai shtoi se Ligji për Investime Strategjike do të gjeneronte rezultate pozitive për Kosovën dhe do të lehtësonte dialogun me partnerët e huaj.
Gërxhaliu u bëri thirrje institucioneve që të mbështesin prodhuesit vendor, duke ridraftuar Ligjin për Tregtinë e brendshme, me qëllim që kompanitë vendore të kenë mundësi të rrisin prodhimin e tyre, si një ndër parakushtet për krijimin e vendeve të punës.
Çështje të tjera që u diskutuan gjatë konferencës ishin rreth implikimit që politikat e sugjeruara kanë për qyetarët si konsumatorë, Ligji për Faljen e Borxheve në përgjithësi, implikimet afatgjatë dhe afatshkurtërta që kanë pushimet tatimore, cilësia e produkteve vendore, normat e interesit dhe çështje të tjera financiare që shqetësojnë komunitetin e biznesit.