Interesi real i kredive në Shqipëri nën mesataren rajonale
Tiranë, 21 korrik - Interesi real i kredive në Shqipëri është në nivel lehtësisht më të ulët krahasuar me mesataren rajonale.
Ky tregues, sipas statistikave, u ul vitin e kaluar në 7,2% nga 9% që kishte qenë në vitin 2013.
Sipas ekspertëve, norma reale e interesit të kredive në tregun shqiptar ka ardhur në rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, favorizuar nga politika monetare e Bankës Qendrore, që synon nxitjen e kreditimit.
Norma reale e interesit është një tregues domethënës, sidomos për kushtet e financimeve të biznesit dhe rënia e këtij treguesi gjatë viteve të fundit nënkupton kosto më të ulëta për të mbështetur investime të reja.
Norma reale e interesit të kredive matet duke e rregulluar interesin mesatar vjetor të kredive me deflatorin e prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Deflatori i PBB-së jep në thelb çmimin, me të cilin tregtohen mallrat dhe shërbimet gjatë një periudhe të caktuar.
Interesi më i lartë real i kredive regjistrohet në Serbi me 12,7%, e ndjekur nga Kosova me 12,5%. Nivelin më të ulët në rajon e mban Bosnjë-Hercegovina me 5%.