Inteligjenca artificiale pritet të rrezikojë humbjen e 83 milionë vendeve të punës
Toronto, 4 maj - Tregu i punës do të përballet me tronditje të mëdha gjatë pesë viteve të ardhshme, kur pritet që një numër kompanish të adoptojnë teknologjitë e inteligjencës artificiale (AI), kurse ekonomia globale shkon drejt përkeqësimit, thuhet në raportin e fundit të Forumit Ekonomik Botëror (WEF).
Inteligjenca artificiale dhe kushtet ekonomike dhe sociale pritet të rezultojnë në humbjen e 83 milionë vendeve të punës, ku vetëm 69 milionë vende pune do të hapen deri në vitin 2027, thuhet në raport, i cili u publikua të dielën.
Kjo do të rezultojë në një humbje neto prej 14 milionë vendesh pune, që paraqet dy për qind të punësimit aktual.
Raporti parashikon që pothuajse një e katërta e punonjësve do të ndryshojnë vendet e punës, kryesisht për shkak të teknologjive të reja.
Miratimi i teknologjisë dhe aksesi më i lartë digjital do të krijojë gjithashtu rritje neto të vendeve të punës, por me kompensime më të mëdha nga humbjet. Rritja e ngadaltë ekonomike, mungesa e ofertës dhe inflacioni paraqesin rreziqet më të mëdha për vendet e punës, thuhet në raport.
Futja në përdorim të AI do të rrezikojë shumë vende pune drejtpërdrejt pasi në disa raste robotët do të zëvendësojnë njerëzit. Mund të ketë shkurtim të rreth 26 milionë vendeve të punës për mbajtjen e të dhënave dhe punë administrative deri në vitin 2027, sipas WEF.
Sipas raportit, në vitin 2020, punëdhënësit mendonin se 47 për qind e vendeve të punës do të automatizoheshin deri në vitin 2025. Sot, ata parashikojnë që ky numër të arrijë në 42 për qind deri në vitin 2027.