Institucionet të jenë më aktive në nxitjen e bizneseve për fondet IPA
Prishtinë, 4 tetor - Fondet e Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) përbëjnë një mundësi të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e poashtu një element i rëndësishëm në ofrimin e mbështetjes financiare ndaj sektorit privat në Kosovë.
Kjo u tha sot në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me qëllim të informimit të bizneseve mbi procedurat e aplikimit për Fondet IPA si dhe përfitimet të cilat dalin nga ofrimi i kësaj mbështetjeje.
Ferida Zeka, Zyrtare e Lartë për Zhvillim Ekonomik në Ministrinë e Integrimit Evropian, tha se fondet IPA janë mekanizmi përmes së cilit BE ofron mbështetje financiare dhe asistencë teknike për shtetet kandidate dhe shtetet kandidate potenciale.
Zeka sqaroi se krahas reformave shtetërore për anëtarësim në BE në disa aspekte, si në qeverisje të duhur, sundim të ligjit, konkurrueshmëri, rritjen e cilësisë në edukim, bujqësi, politika mjedisore, e shumë të tjera, fondet IPA II kanë rëndësi të veçantë edhe për sektorin privat në vend.
Ajo sqaroi se ofrimi i mbështetjes së fondeve IPA bëhet në bazë të identifikimit të nevojave në sektorë të ndryshëm ku dhe bëhet përcaktimi i prioriteteve për mbështetje financiare në fusha të caktuara.
Rexhep Vasolli, Drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave nga Ministria e Financave, tha se Ministria e Financave në aspektin rregullativ të marrëveshjes së nënshkruar mes BE-së dhe Kosovës synon sigurimin e pjesës së bashkëfinancimit.
Ai shtoi se përkundër strukturave të krijuara nga Qeveria e Kosovës në adresimin e prioriteteve për financim nga fondet IPA, Kosova ka përfituar mjaft pak, duke përmendur se Kosova ka qasje në dy komponenta në kuadër të IPA 2, në bashkëpunimin ndërkufitar dhe ngritjen e kapaciteteve në asistencë teknike, si dhe mbështetjen buxhetore sektoriale.
Më tej, Vasolli njoftoi të pranishmit me kushtet të cilat duhet të përmbushen për t’u kualifikuar për mbështetje nga fondet IPA si dhe përfitimet të cilat Kosova i ka marrë nga kjo marrëveshje në të kaluarën, duke konkluduar se aktualisht Kosova është duke përfituar dy mbështetje në modernizimin e administratës publike me asistencë teknike e poashtu edhe në fushën e menaxhimit të financave publike.
Irfan Lipovica, Drejtor i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tha se bizneset Kosovare kanë nevojë të rrisin kapacitetet e tyre për të përfituar nga skemat dhe projektet e financuara përmes fondeve të IPA.
Ai sqaroi se skemat e granteve ku përfitues është sektori privat në të shumtën e rasteve kanë për synim ngritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, e në veçanti të bizneseve prodhuese, ku prioritet u jepet atyre projekteve me ndikim në rritjen e punësimit dhe eksporteve. Krahas kësaj, Lipovica njoftoi të pranishmit edhe me shfrytëzimin e fondeve të IPA II në aspekt të harmonizimit të vazhdueshëm të legjislacionit me direktivat e BE, dhe zhvillimin e mekanizmave zbatues të ligjeve.
Bizneset e pranishme kërkuan që institucionet e vendit të jenë më përkrahëse ndaj bizneseve në aspekt të informimit të tyre për mundësitë e shfrytëzimit të fondeve IPA, që do të mundësonte një absorbim më të mirë të fondeve me qëllim të vënies së tyre në funksion të zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës.