Institucionet nuk zbatojnë rekomandimet e auditorëve
Prishtinë, 10 korrik - Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në mbledhjen e mbajtur sot, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin Vjetor të Qeverisë për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2012.
I ftuar ne këtë mbledhje ishte edhe Ministri i Financave Besim Beqaj.
Komisioni ka vlerësuar se ka rritje të lehtë të numrit të auditimeve, sikurse ka rritje të numrit të njësive të auditimit të brendshëm dhe të numrit të komiteteve të auditimit.
Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Ministrisë së Financave për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, kryetari i komisionit Ali Sadrija, tha se mos adresimi i rekomandimeve të dala nga auditimet ende mbetet sfidë e Auditorit të Përgjithshëm.
Kemi raporte kur auditori i brendshëm ka konstatuar shumë lëshime dhe ka dhënë rekomandime. Por, ato rekomandime nuk janë zbatuar. Prandaj, duhet të mendojë edhe ministri por edhe ne që dikush duhet me dhënë llogari, nëse ka një përgjegjësi atëherë dikush duhet të përgjigjet në këtë çështje, tha Sadrija.
Ndërsa anëtari i komisionit nga PDK-ja Adem Grabovci, raportin e quajti pozitiv. Por, në këtë aspekt ai tha se duhet të punohet më tepër, sidomos tani, kur vendo ndodhet në konsolidim e sipër të shtetit.
Ne presim që kjo fushë të mbulohet dhe të ngritët edhe më shumë sepse ka nevojë. Kur e them këtë e kam parasysh rëndësinë e këtij sektori që duhet të auditoj dhe identifikoj me tepër dobësitë që na kanë përcjellë sepse është e qartë se atëherë kur ne identifikojmë ato dobësi që kemi dhe lëshime normalisht që mobilizohemi dhe e kemi me lehtë ti korrigjojmë, tha Grabivci.
Por, Ministri i Financave, Besim Beqaj, vuri theksin edhe tek agjensionet e pavarura të auditimit, i cili po ashtu tha se aspekti buxhetor nuk paraqet problem sa i përket rritjes së numrit të auditorëve.
Plotësimi i vendeve për auditor është obligim permanent i yni dhe ne do të merremi në mënyrë permanente me të. Në aspektin buxhetor nuk do të jetë problem plotësimi i vendeve të punës."
"Unë dua të ngris edhe çështjen e agjencioneve të pavarura. Këtu kemi shumë nevojë për ngritjen e kapaciteteve në Kuvend për auditim të brendshëm sepse kemi shumë agjencione të pavarura që duan të auditohen nga Kuvendi, tha Beqaj.
Komisioni ka përkrahur Raportin Vjetor të Qeverisë për Funksionimin e Sistemit të Auditimit të Brendshëm në Sektorin Publik, për vitin 2012 dhe të njëjtin i ka rekomanduar Kuvendit për miratim.