Institucionet mikrofinanciare arritën vlerën 115.3 milionë euro
Prishtinë, 7 dhjetor - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se asetet e sektorit mikrofinanciar në shtator 2014 arritën vlerën 115.3 milionë euro që paraqet një rritje vjetore prej 3.1 për qind krahasuar me rënien prej 7.5 për qind në shtator 2013.
Rritja e aseteve gjatë kësaj periudhe ishte kryesisht rezultat i rritjes së aktivitetit kreditues dhe lizingut, dy produkteve(shërbimeve) kryesore të IMF-ve.
Në shtator 2014, gjithsej kreditë shënuan rritje vjetore prej 3.4 përqind, krahasuar me rënien prej 8.6 përqind në shtator 2013. Në kuadër të gjithsej kredive, kreditë ndaj bizneseve shënuan rritje vjetore më të theksuar prej 7.0 për qind, ndërsa kreditë për ekonomitë familjare shënuan rritje prej 1.7 përqind. Sipas maturimit, kreditë e IMF-ve vazhdojnë të kenë strukturën e njëjtë sikurse viteve të kaluara, dhe dominohen nga kreditë me afat të mesëm maturimi pasuar nga ato me afat të shkurtër, kurse kreditë afatgjata vazhdojnë të kenë një përfaqësim të ulët.
Kreditë me afat maturimi mbi 1 deri 5 vite në shtator 2014 kishin një pjesëmarrje prej 85.0 për qind në gjithsej kreditë, pasuar nga ato me maturim deri 1 vit me 14.6 për qind, dhe mbi 5 vite me 0.4 për qind, \", thuhet në raportin e BQK-së, për vlerësimin Tremujor të Ekonomisë. Sipas BQK-së, vlera e lizingjeve në shtator 2014 arriti vlerën prej 23.0 milionë euro, një rritje vjetore prej 6.2 përqind (rritje prej 6.0 përqind në shtator 2013).
Lizingjet për ekonomitë familjare shënuan rritje vjetore prej 39.0 përqind në shtator 2014 (24.2 për qind në shtator 2013). Në anën tjetër, lizingjet për biznese u karakterizuan me rënie vjetore për 5.4 përqind, krahasuar me rritjen vjetore prej 1.5 përqind në shtator 2013.
Karakteristikë e sektorit mikrofinanciar vazhdojnë të jenë normat e larta të interesit në kredi. Mesatarja e normës efektive të interesit për kreditë e lëshuara nga institucionet mikrofinancaire në shtator 2014 ishte 23.4 për qind (24.0 përqind në shtator 2013). Për ndërmarrje, në shtator 2014 mesatarja e interesit në kredi ishte 24.6 përqind (23.7 për qind në shtator 2013) kurse për ekonomi familjare në shtator 2014 ishte 24.2 përqind (23.4 përqind në shtator 2013), thuhet në raport.
Sipas BQK-së, në shtator 2014, niveli i kredive jo performuese në gjithsej kreditë qëndroi në 5.3 për qind, që paraqet një rënie të lehtë nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar kur ky raport ishte 5.7 për qind. Mbulueshmëria e kredive jo perfomuese me provizione ishte 111.4 për qind, që paraqet rritje nga niveli prej 109.7 përqind sa ishte në shtator 2013. Deri në shtator 2014, sektori mikrofinanciar realizoi të hyra prej 14.2 milionë euro, që krahasuar me vitin e kaluar paraqet rënie prej 1.7 për qind (rënie prej 4.6 për qind deri në shtator 2013). Sidoqoftë, shpenzimet shënuan rënie vjetore më të theksuar prej 15.4 për qind kryesisht si rezultat i reduktimit të shpenzimeve për personelin dhe zvogëlimit të shpenzimeve për provizionet për humbjet e mundshme nga kreditë.
Vlera e përgjithshme e shpenzimeve deri në shtator 2014 u zvogëlua në 13.3 milionë euro, duke rezultuar kështu edhe në një profit prej 887.1 mijë euro kundrejt humbjeve të shënuara prej 1.3 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Përmirësimi i performancës financiare ndikoi në përmirësimin e indikatorëve të profitabilitetit siç janë Kthimi në Mesataren e Aseteve (ROAA) dhe Kthimi në Mesataren e Kapitalit (ROAE). ROAA u përmirësua në 1.0 për qind (-0.3 për qind në vitin 2013) ndërsa ROAE u përmirësua në 3.9 përqind, -1.1 për qind në vitin 2013, thuhet në raportin e BQK-së, për vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.