Institucionet, më shumë mbështetje për sektorin privat
Prishtinë, 30 janar - Institucionet qëndrore prezantuan sot aktivitetet për lehtësirat që synohen për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), që janë shtyllë e zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Ndër aktivitetet më të rëndësishme janë hartimi i ligjeve që lehtësojnë afarizmin, si dhe implementimi i strategjisë për zhvillimin e NVM-ve, që është dokument i miratuar nga qeveria në korrik të vitit 2011.
Konferenca informuese u organizua nga Agjencia për Mbështetjen e NVM-ve, agjenci e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE-ja EU SME, ku morën pjesë përfaqësuesë nga institucionet dhe komuniteti i donatorëve.
Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e NVM-ve, Granit Berisha, tha se Strategjia e zhvillimit të NVM-ve do të shërbejë si guidë për vet Agjencinë në punën e saj mbështetjen e këtij sektori.
Tanimë kemi të aprovuar buxhetin për realizimin e Strategjisë dhe jemi në fazën e konceptimit të planit për implementimin e strategjisë, themelimit të grupeve punuese, dhe përcaktimin e qëllimeve dhe objektivave të strategjisë, theksoj Berisha.
Ndërsa Soren Hjorth, kreu i projektit EU SME i cili ndihmon zhvillimin e sektorit të NVM-ve në Kosovë, tha se qëllimi i të gjitha aktiviteteve të projektit EU SME është përmirësimi i radhitjes së Kosovës në listën e të bërit biznes në kuadër të Bankës Botërore.
Përndryshe EU SME është një mjet i komunikimit mes Komisionit Evropian dhe qeverisë së Kosovës në shtyrjen përpara të politikave që mbështesin zhvillimin e NVM-ve, tha Hjorth.
Një ndër aktivitetet e rëndësishme që do të ndërmerren gjatë vitit 2012 është edhe përmirësimi i konkurrueshmërisë së NVM-ve.
Në kuadër të forcimit të dialogut publiko-privat në konferencë u theksua suksesi i aktiviteteve të Ditëve të Biznesit të Vogël të mbajtura në nëntor të vitit të kaluar. Pjesë e këtyre aktiviteteve ishte edhe shpërblimi i ideve më të mira të biznesit që do të bëhet përmes një ceremonie gjatë muajit shkurt.
Në takimin e radhës informues mbi zhvillimet e mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme do të diskutohet për aprovimin e ligjit mbi inspektim dhe ligji mbi licencat.