16 Maj 2024

Inspektohen dokumentet kadastrale të Kosovës në Krushevac

Prishtinë, 12 janar - Në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për kthimin e dokumenteve kadastrale të arritur në dialogun teknik më 2 shtator 2011, dje grupet e ekspertëve kadastral të Republikës së Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian qëndruan në Qendrën Komunale në Krushevac të Serbisë për të parë gjendjen e dokumentacionit kadastral të marrë nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999 si dhe zhvilluan takimin e tretë për zbatimin e marrëveshjes për kthimin e dokumentacionit kadastral.

Ekipi i ekspertëve kadastral të Republikës së Kosovës për herë të parë pati rastin që të shohë gjendjen momentale të dokumentacionit kadastral të Kosovës, me ç’rast u inspektuan dokumentet kadastrale të komunës së Prishtinës, Prizrenit, Deçanit, Gjakovës, Zveçanit dhe të Suharekës që ishin të vendosur në këtë qendër komunale.  Ekspertët nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Pronës konstatuan se ky material ishte në gjendje të mirë dhe i gatshëm për tu skanuar dhe certifikuar nga BE-ja.

Pas këtij inspektimi, u zhvillua takimi i grupit trepalësh për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Në takim u vlerësua shkalla e përgatitjeve për zbatimin e marrëveshjes, ku pala serbe njoftoi për fillimin e procesit të grumbullimit të të gjithë dosjeve kadastrale në një qendër të vetme për lehtësuar dhe shpejtuar procesin e skanimit të tyre.

Po ashtu, pala serbe dorëzoi tek pala e Kosovës listën e dokumentacionit kadastral të komunës së Suharekës si shembull i cili duhet të përgatitet edhe për të gjitha komunat tjera të Republikës së Kosovës të cilave u janë marrë dosjet kadastrale. Pala serbe dorëzoi edhe specifikacionet e përgatitura për mënyrën e skanimit të dokumentacionit kadastral si dhe fjalorin e të dhënave që përdoret nga Enti i tyre Republikan për Kadastër.

Në fund palët u pajtuan që takimi i radhës i grupit për zbatim të kësaj marrëveshje të zhvillohet gjatë muajit Shkurt në Prishtinë.

Grupi për zbatimin e marrëveshjes i Republikës së Kosovës ishte në përbërje: Gazmir Raci, nga Zyra e Dialogut Teknik dhe koordinator i këtij grupit; nga Agjencia Kadastrale e Kosovës morën pjesë Qemajl Kadiri, M. E specialist, Hajzer Bublaku, Specialist ligjor dhe Reshat Murati, ekspert i GIS-it si dhe Enver Bajrami, përgjegjës i njësisë për verifikimin e dokumenteve dhe Arben Canolli, ekspert kadastral, njësia për identifikimin e pronave nga Agjencia Kosovare e Pronës.

Nga Bashkimi Evropian pjesëmarrës gjatë këtij takimi ishin edhe z. Thomas Busch nga zyra e ndërmjetësuesit të dialogut teknik z. Robert Cooper dhe znj. Michele Moran nga zyra e EUSR-it në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)