Inovacioni, ndër faktorët kryesor të zhvillimit ekonomik
Prishtinë, 26 janar - Në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temë Inovacioni dhe Zhvillimi Ekonomik u diskutua rreth inovacionit dhe ndikimeve të tij në zhvillimin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci vlerësoi se inovacioni është faktori kryesor i ndryshimeve të ritmit të zhvillimit ekonomik në vend, duke shtuar se të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të orientohen drejt mobilizimit të kapitalit njerëzor për faktin që sot teknologjia e informacionit nuk është pjesë e ekonomisë, por tranformues i të gjitha fushave të ekonomisë, sistemeve politike dhe shoqërisë.
Stavileci bëri të ditur që Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përfshirë në agjendë krijimin e një fondi me anë të së cilit do të financohen bizneset e reja dhe ato ekzistuese si dhe bizneset e orinetuara në eksport duke shtuar se Kosova në një të ardhme afat mesme do të ketë edhe Ministrinë e Inovacionit.
Era Jashari, Zyrtare për Marëdhënie me Qeverinë tha se inovacioni mbi të gjitha përfshin procese të reja, sisteme të reja të biznesit e metoda të reja të menaxhimit të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në rritje të produktivitet e rrjedhimisht në zhvillim ekonomik, ndërsa Vanesa Gashi nga Zyra për Komunikime e Odës Amerikane prezantoi të gjeturat e anketës mbi inovacionin, të kryer me anëtarët e Odës Amerikane, ku mes tjerash u vlerësua se ofrimi i lehtësirave dhe diskutimi më i madh politik në promovimin e inovacionit përmes stimujve monetar dhe jomonetar si dhe qasja në kredi për bizneset e reja janë të domosdoshme për të nxitur investimet në inovacion.
Arben Ymeraga nga kompania anëtare e Odës Amerikane, Melita & Partners tha se mbështetja institucionale dhe promovimi i inovacionit janë të rëndësishme për rritjen e biznesit, duke theksuar se angazhimi i qeverisë është i domosdoshëm në këtë aspekt.
Drenusha Shala themeluese e kompanisë Baruti diskutoi rreth rëndësisë së zhvillimit të inovacionit në Kosovë dhe përvojës së saj si ndërmarrëse.
Ajo theksoi se edhepse në Kosovë ka vende të lira të punës, mungesa e njerëzve të kualifikuar profesionalisht paraqet problem kyç në punësim.
Ndërsa, Rron Cena njëri ndër themeluesit e kompanisë Formon vlerësoi se baza themelore e zhvillimit të inovacionit në vend është edukimi dhe aftësimi profesional, në mënyrë që këto aftësi të përmbushin kërkesat e tregut.